Tiranë, 17 maj 2011, NOA – Pak pas anullimit të mbledhjes së pasdites të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi deklaroi se në këtë mbledhje duhej të dilte rezultati i njësisë 5 për zgjedhjet vendore.
Nënkryetarja socialiste Subashi bëri me dije se ajo kishte kërkuar që sot të nxirrej rezultati i zgjedhjeve për minibashkinë nr. 5 dhe ishte pikërisht diskutimi për akt-vendimin e KQZ-së në rend dite.
Subashi shprehu shqetësimin për situatën kritike të krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Për fat të keq mbledhja e thirrur nga unë dhe kolegët e mi nuk u zhvillua, dhe më pas u shty për shkak të kërkesës për qetësimin e situatës në sallën e mbledhjeve, por më pas u shty pa asnjë sqarim”, bëri me dije gjatë një konference për shtyp, zonja Subashi.
Sipas nënkryetares së KQZ-së projekt-akti i paraqitur nga kryetari i KQZ-së Arben Ristani për vlefshmërinë e fletëve të kontestuara s’parashikohej nga Kodi Zgjedhor.
Sipas zonjës Subashi, ajo kishte kërkuar që akti të përfshinte vlerësimin e fletëve të kontestuara në të gjithë Republikën dhe jo vetëm fletët e kontestuara në Tiranë.
Nënkryetarja e KQZ-së theksoi se KQZ nuk u mblodh pikërisht për aktin e dytë, të paraqitur nga ajo vetë për t’u diskutuar.
Gjithashtu në këtë mbledhje do të diskutohej edhe për tabelën përmbyllëse të rezultatit në KZAZ-në nr. 49, e cila sikundër tha Subashi erdhi pa firmën e katër komisionerëve, atyre të PD-së dhe LSI-së.
mit/NOA