Apeli im për Saliun është të ndalet këtu dhe të mos imponojë një shkelje ligjore që nxjerr nga kontrolli procesin dhe minon themelet e bashkëjetesës demokratike në këtë vend...
Edi Rama
E pa çdo sy dhe e dëgjoi çdo vesh numërimin e votave në Tiranë. Ne fituam dhe disponojmë të 485 procesverbalet për çdo votë të numëruar në çdo kuti votimi të kryeqytetit. KQZ-ja ka detyrimin ligjor që thjesht të shpallë rezultatin mbështetur mbi procesverbalet.
S’kemi pasur kurrë ndonjë iluzion se kjo KQZ mund të sillet ndonjëherë normalisht me të drejtat ligjore të opozitës. Por kjo që po ndodh sot, kalon çdo cak të arsyes dhe kërcënon kufirin e fundmë të durimit të popullit që votoi rezultatin e njohur botërisht.
Po tentohet të përmbyset rezultati i zgjedhjeve në Tiranës me një vendim
kryekëput të paligjshëm, një akt dhune që kërcënon vetë stabilitetin e vendit.
Apeli im për Saliun është të ndalet këtu dhe të mos imponojë një shkelje ligjore që nxjerr nga kontrolli procesin dhe minon themelet e bashkëjetesës demokratike në këtë vend.
Shqipëria sot ka nevojë për ekuilibër, qetësi, siguri në rrugën e saj dhe
shqiptarëve politika u detyrohet respekt për votën e tyre, punë për zgjidhjen e problemeve të tyre, vizion për të ardhmen e tyre.
Ne jemi gati të japim kontributin tonë me respekt, punë e vizion për Shqipërinë e të gjithëve ndërkohë që çka po ndodh në KQZ sot mban erën e keqe të historive të shkuara që s’mund dhe s’duhet të përsëriten.
Kemi qenë të qartë këto ditë në shprehjen e vullnetit tonë për të parë përpara duke ofruar kontributin tonë për një klimë të re politike, por nëse vihemi sot nga KQZ-ja përpara mbrapshtisë së një fakti të kryer në shkelje të ligjit, s’ka pikë dyshimi se do reagojmë me të gjithë fuqinë e të drejtës që ka sot me vete populli mbarë.
Nxjerrja e rezultatit mbi bazën e 485 procesverbaleve të 485 qendrave të votimit në Tiranë, është kërkesë e ligjit, është kërkesë e qytetarëve, është kërkesë e komunitetit ndërkombëtar e shprehur qartë sot.
Ne presim me durim që kjo të ndodhë dhe i siguroj qytetarët se s’ka forcë që
vjedh forcërisht rezultatin tonë fitues në Tiranë.
*Deklarata e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama