English

Deputetët e PS në sallën e mbledhjeve, KQZ: Anullohet mbledhja

Tiranë, 17 maj 2011, NOA – Pas dyndjes së deputetëve socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për disa orë rresht, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani e anulloi mbledhjen e pasdites, duke vendosur që mbledhja e radhës të mbahet të mërkurën në orën 10.00 të paradites.

Ky anullim erdhi pas bllokimit të mbledhjes së KQZ-së nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët u dyndën në mjediset e institucionit kushtetues në kërkim të shpalljes pa vonesë të rezultatit për bashkinë e Tiranës, duke mbledhur të gjitha tabelat përmbyllëse të rezultateve të KZAZ-ve të Tiranës.

Edhe në këtë moment kur mbledhja e KQZ-së është anulluar, deputetët socialistë ndodhen në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, ndërkohë disa prej tyre janë në oborrin e institucionit.

Deputetët socialistë nuk kanë marrë ende një vendim, nëse do të qëndrojnë pranë KQZ-së apo do të lëvizin për t’u rikthyer rishtas nesër paradite, kur pritet të shqyrtohet një akt-vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për fletët e kontestuara.

Madje socialistët kanë vendosur të marrin pjesë në këtë mbledhje të ardhshme, duke theksuar se ky projekt-vendim i hartuar nxitimthi është shkruar me qëllimin e vetëm për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, në favor të kandidatit demokrat Lulzim Basha.

Sipas socialistëve rezultati i Tiranës është tejet i qartë dhe i vendosur me votë nga populli në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Në këtë moment mjediset e KQZ-së janë rrethuar nga një numër i madh trupash policore, të cilët po ruajnë ambientet e institucionit, ku janë kthyer tashmë sytë e tërë popullit, dhe ndërkombëtarëve, institucioni që ka tagrin të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve vendore të 8 majit, dhe shpalljen e kryebashkiakut të ri të kryeqytetit.

mit/NOA

KOMENTE