Tiranë, 17 maj 2011, NOA- Deputetët e Partisë Socialiste pas një vendimi të marrë në mbledhjen e grupit e cila ka zgjatur vetëm pak minuta kanë mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të qenë pjesë në diskutimin e aktit për fletët e kontestuara.
Nga ana e socialistëve shpallja e rezultatit për fituesin e garës së Tiranës, është kërkuar me ngulm, pasi sipas tyre kandidati i tyre Edi Rama, është fitues, kjo bazuar në procesverbalet e KZAZ-ve të njësive bashkiake të kryeqytetit.
Ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pritet që në këto momente të nis mbledhjen ku pritet të miratojë aktin për të shqyrtuar fletët e kontestuara.
Sipas këtij akti KQZ duhet të pezullojë shpalljen e rezultateve deri sa të përfundojë numërimi i votave për kryetarët e minibashkive dhe këshillave bashkiakë, pasi vetëm kështu rezultati për kryetarin e ri të bashkisë së kryeqytetit do të ishte i saktë.
Pretendohet se në kutitë e votimit për kryetarët e minibashkive janë hedhur vota për kandidatin për bashkinë e madhe, çka ka bërë që të kërkohet cilësimi i tyre si vota të vlefshme.
Partia Socialiste në vijimësi ka shprehur vendosmërinë e saj për ti cilësuar si të pavlefshme këto fleta votimi.
a.y/NOA