Vlorë, 17 maj, NOA – Të paktën 15 persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Vlorës, pasi dyshohen si autorë të dhunës që shpërtheu dje në stadium gjatë ndeshjes Flamurtari-Skënderbeu.
Sipas policisë, 15 personat, pas ndeshjes së zhvilluar dje në orë 16:00 kanë shkulur pothuajse gjithë stolat e tribunës së Stadiumit dhe i kanë hedhur ato në drejtim të bankinave dhe fushës. Gjithashtu tifozët e Flamurtarit kanë penguar lojtarët të futen në dhomat e zhveshjes, hyrja e të cilëve u bë e mundur falë shoqërimit nga punonjësit e policisë.
Por dhuna e tifozëve ndaj skuadrës së Skënderbeut ka vijuar edhe pas ndeshjes. Ata janë grumbulluar në sheshin para stadiumit duke bllokuar edhe daljen e lojtarëve nga stadiumi për tu larguar si dhe kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në sheshin para stadiumit dhe aksin rrugor Skelë–Vlorë.
Tifozët kanë hedhur shishe plastike dhe sende të tjera të forta, në drejtim të hyrjes kryesore të stadiumit duke mos ju bindur thirrjes së punonjësve të policisë së rendit publik për tu larguar.
Sipas policisë situata e tensionuar ka zgjatur rreth 2 orë. Përveç 15 të shoqëruarave në polici është bërë dhe identifikimi i një sërë elementësh të tjerë, ndaj të cilëve pritet të merren masat në ditët në vijim.
a.k/NOA