Romë, 17 maj 2011, NOA- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, në vijim të pjesëmarrjes në takimin ndërkombëtar “Qeverisja globale dhe reforma e Këshillit të Sigurimit”, zhvilloi një vizitë tek Urdhri Sovran i Maltës, ku u takua me Princin dhe Mjeshtrin e Madh, Fra’ Mathew Festinger.
Gjatë këtij takimi, Haxhinasto vlerësoi kontributin e Urdhrit të Maltës në vendin tonë në fushën shëndetësore, sociale dhe humanitare, si dhe shprehu mirënjohjen për
asistencën e ofruar gjatë përmbytjeve në veri të Shqipërisë.
Më tej dy dialoguesit ndanë të njëjtin mendim për nevojën e vlerësimit të gjithë projekteve aktuale, me synim prioritizimin e tyre, rritjen e efikasitetit, si dhe programimin në të ardhmen në fushat ku nevoja është më e madhe dhe ekspertiza e
Urdhrit është më e plotë.
Ndër të tjera Mjeshtri i Madh i Urdhrit të Maltës vlerësoi arritjet në Shqipëri dhe uroi që
anëtarësimi i Shqipërisë në familjen evropiane të bëhet në një kohë sa më të shpejtë.
Sakaq Ministri i Jashtëm Haxhinasto bëri edhe një vizitë tek Komuniteti i Sant Exhidios, ku u takua me Monsinjor Vincenso Palja. Edhe në këtë takim u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri e rajon, si dhe mbi projektet që ky komunitet po zhvillon në vendin tonë.
a.y/NOA