English

Konstantet e votës në Shqipëri

Si edhe në vitin 2005 dhe 2009, edhe në zgjedhjet vendore 2011 e djathta ka arritur një rezultat nëse jo fitimtar, atëherë të kënaqshëm, falë përçarjes në PS që ndodhi në kohën e Fatos Nanos, por që ka vazhduar edhe në gjatë udhëheqjes së Edi Ramës

Nga Shkëlzen Maliqi

Exit polli i “Gani Bobit” sërish dështoi në Shqipëri. Instituti ynë dy herë ka qenë i suksesshëm në parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve (Shqipëri, korrik 2005 dhe Kosovë, dhjetor 2010) dhe dy herë nuk e ka kapur fare rezultatin (Shqipëri, qershor 2009 dhe maj, 2011). Për një ndërmarrje hulumtuese të llojit të vet, që nuk ka aspak traditë ndër shqiptarët, nuk është edhe rezultat që duhet të nënçmohet (2 me 2).

Kësaj here nuk dua as të arsyetohem, e as të zgjatem me sondazhet e “Gani Bobit”. Exit polli edhe nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për vetë procesin e zgjedhjeve. Është një hulumtim i formatit televiziv, që e lidh vëmendjen e audiencës së gjerë për rezultatin e mundshëm, deri sa nuk fillon numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve preliminare dhe zyrtare.

Në rrethanat e caktuara, kur ekziston bashkëpunimi i qytetarëve dhe ata e tregojnë sinqerisht se për cilën parti dhe kandidat kanë votuar, exit polli mund të shërbejë si njëra nga instancat që sinjalizojnë manipulimin e votës. Në exit pollin e “Gani Bobit” më 12 dhjetor 2010, përqindjet dhe renditja e partive ka qenë në shkallën e lartë paralajmëruese të rezultatit final, për të cilin është dashur të mbahen votimet “përmirësuese” në katër komuna të Kosovës. Në sondazhet dhe exit pollin, Vetëvendosje dhe Fryma e Re kanë fituar në total 5 për qind më shumë seç figuron në rezultatin zyrtar dhe ky mund të shërbejë si fakt për dyshimin se këto dy parti janë dëmtuar nga manipulimet e votës në komunat ku nuk janë përsëritur zgjedhjet.

Për partitë politike dhe institutet që analizojnë zhvillimet politike dhe disponimin e elektoratit, exit pollet nuk kanë aspak rëndësi. Në Shqipëri, që nga viti 2009, shumica e sondazheve dalin me rezultate të shtrembëruara që favorizojnë dukshëm partinë në pushtet dhe ky doemos është një fenomen që duhet të reflektohet, për të kuptuar arsyen pse një pjesë e votuesve të opozitës nuk janë të sinqertë në deklarimin e preferencës së tyre në sondazhet parazgjedhore dhe në exit polle.

Por, t’i lëmë sondazhet dhe t’i kthehemi votës aktuale në Shqipëri. Tani që janë numëruar votat, sërish del në pah konfiguracioni relativisht konstant i votës në Shqipëri, që ndahet në dy pole: në atë të PD-së me një koalicionin të gjerë të partive të djathta, por ku përfshihet edhe LSI-ja, që me orientim deklarohet si parti e majtë proevropiane, që ka fituar 52 deri 53 për qind të “votës popullore” dhe në atë të PS-së me koalicionin e partive të majta, që ka marrë 47 deri 48 për qind të “votës popullore”.

Pa LSI-në, e djathta në Shqipëri nuk do të mund të arrinte këtë rezultat, e as të bënte garën krejtësisht të barabartë për Bashkinë e Tiranës, me atë ndarje gati të pabesueshme të votës 50:50, ku diferenca është tejet e vogël, ndoshta më pak se dhjetë vota!

Si edhe në vitet 2005 dhe 2009, edhe në zgjedhjet vendore 2011 e djathta ka arritur një rezultat, nëse jo fitimtar, atëherë të kënaqshëm, falë përçarjes në PS që ndodhi në kohën e Fatos Nanos, por që ka vazhduar edhe në gjatë udhëheqjes së Edi Ramës.

Edhe enigma e kthesës së madhe që ka ndodhur në Tiranë, ku gara për kryebashkiak doli aq e barabartë, kuptohet lehtë nëse merret parasysh prishja e koalicionit mes PS-së dhe LSI-së.

Në vitin 2007 Edi Rama pat fituar bindshëm mandatin e tretë të kryebashkiakut, pasi që i kishte edhe votat e LSI-së, e cila garonte në koalicionin me PS-në, por në vitin 2009 Rama e prishi koalicionin me Ilir Metën dhe doli humbës në zgjedhjet e përgjithshme, sikundër që më 8 maj, pa votat e LSI-së, u gjend buzë greminës dhe tani varet nga KQZ-ja dhe rishikimi i protokolleve të KZAZ-ve se a do të jetë ai sërish, për të katërtën herë, apo Lulzim Basha, kryebashkiak i Tiranës.

* Shkrimet e rubrikës “Opinion” nuk paraqesin vijën editoriale të NOA

KOMENTE