Tiranë, 17 maj 2011, NOA- Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arti Lushi në një dalje për mediat lidhur me situatën e pezullimit të punës në këtë institucion deklaroi se ndërprerja e mbledhjes u bë për shkak të presionit nga ana e deputetëve socialist.
Sipas tij, KQZ filloi mbledhjen e saj rutinë, në lidhje me vlerësimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, por salla ishte pushtuar nga deputetët socialist.
“Sapo filloi mbledhjen KQZ, deputetët socialist nisën të përplasin këmbët dhe të hedhin fjalë fyese ndaj anëtarëve të këtij komisioni. Presioni në sallë ishte i madh dhe për këtë arsye mbledhja u shty”, deklaroi Lushi.
Më tej ai bëri apel në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndaj partive politike duke thënë të mbajnë situatën nën kontroll, madje më tej ai garantoi shqiptarët se çdo votë e hedhur në kuti do të numërohet dhe do të vlerësohet.
Lidhur me rifillimin e mbledhjes, Lushi u shpreh se ajo do të fillojë sapo situata të qetësohet.
a.y/NOA