Bruksel, 17 maj 2011, NOA – Ashtu sikundër ishte paralajmëruar disa javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 8 majit, të premten, në 20 maj do të vizitojnë Tiranën, Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso dhe Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule.
Dy personalitetet europiane pritet të vizitojnë tre vende të Ballkanit Perëndimor, Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë përgjatë një vizite dyditore në rajon.
Por, vizita e tyre vjen në një kohë kur situata politike në Shqipëri është tejet e tensionuar edhe më shumë për shkak të mosçertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit, përkatësisht për shpalljen e kryebashkiakut të Tiranës.
E ndërsa situata postzgjedhore në Shqipëri duket e nderë mes dy kampeve politike dhe kur Partia Socialiste i kërkon KQZ-së shpalljen e rezultatit zgjedhor për Tiranën, ndërsa selia blu kërkon numërimin e votave të hedhura gabimisht në kutitë e tjera, vizita e presidentit të KE-së Barroso dhe komisionerit Fule do të përqendrohet në inkurajimin e autoriteteve shqiptare për vazhdimin e reformave integruese.
Ata pritet të takohen me krerët e shtetit shqiptar, e mendohet se situata politike postzgjedhore do të gjejë vend në takimet mes tyre.
Pritet që Barroso dhe Fule të inkurajojnë tek vendet e rajonit mbështetjen e KE-së për përshpejtimin e zbatimit të reformave të nevojshme për përshpejtimin e procesit të integrimit drejt BE-së të Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë vizitës në Prishtinë dy krerët e BE-së pritet të diskutojnë për reformat e qeverisë së Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për vijimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë, apo edhe çështjen e lëvizjes pa viza të qytetarëve kosovarë.
Presidenti i Ke-së Jose Manuel Barroso e Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule e vizituan Ballkanin Perëndimor edhe në fillim të muajit prill, e për mungesë kohe kryen vizita vetëm në Bosnje, Kroaci, Malin e Zi dhe Maqedoni.
mit/NOA