English

Pse Basha i dha më pak vota PD se Olldashi?

(Një vështrim për votat e PD-së dhe elektoratit tribal “Meta-Idrizi and co”)

Nga Mero Baze

Lulëzim Basha është kandidati që i ka dhënë më pak vota Partisë Demokratike se kandidati i mëparshëm për Bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashi. Lulëzim Basha ka marrë nën siglën e PD 72.578 qytetarë pro PD, ndërsa për Sokol Olldashin dhe PD kanë votuar në vitin 2007 76.184 vetë. Ndërkohë kandidati Lulëzim Basha ka arritur një shifër rekord prej 124 mijë votash për kandidaturën e tij, duke bërë të qarta dyshimet jo vetëm për trupën e importuar të votuesve, por dhe për gjithë manipulimet sistematike gjatë fushatës më të pandershme që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Duke përdorur kriteret e Berishës se ka rëndësi vota politike, na lind e drejta të themi se Lulëzim Basha ka ulur reputacionin politik të Partisë Demokratike, pasi ai nuk e ka rritur numrin e votuesve për atë parti. Votat për kandidatin Lulëzim Basha duket se janë vota të koalicionit dhe vota të blera apo të importuara në Tiranë vetëm për emrin e Lulëzim Bashës.

Ky fakt tregon pikësëpari se shqiptarët i kanë dhënë një leksion të qartë Partisë Demokratike në pushtet duke mos votuar siglën e saj. Në rang kombëtar Partia Demokratike ka rreth 14 për qind vota më pak se Partia Socialiste, ndërsa në Tiranë Lulëzim Basha duket se nuk ka mundur të rrisë reputacionin e saj, por e ka dëmtuar atë. Arsyet përse Partia Demokratike ka marrë një rezultat kaq të dobët në Tiranë dhe në rrethe ka të bëjë pikësëpari me qeverisjen e saj të keqe dhe me kthimin e saj në një kupolë mbrojtëse për aferat korruptive të familjes Berisha dhe ngjarjeve kriminale me sfond politik siç është 21 Janari. E reja e këtyre rezultateve janë ato që mund të quhen vota tribale, dhe që kanë të bëjnë me vota të blera nga kandidatë të partive të vogla nga kategori sociale jo urbane siç janë romët apo njerëz në nevojë, si dhe vota farefisi apo lidhje tribale që përdoren shpesh me sukses në zgjedhjet vendore. Koalicioni i Partisë Demokratike me këtë kategori votuesish ka ngelur tani shpresa e vetme e Berishës për të qeverisur Shqipërinë. Partia e tij është qartësisht partia e dytë në vend, me një distancë të madhe prej 14 për qind nga partia e parë, dhe kjo do të mjaftonte në çdo vend të botës që ajo parti të largohej nga qeverisja.

Me Partinë Demokratike po ndodh pak a shumë ajo që ndodhi me liderin e saj. Rekomandimet e ekspertëve të zgjedhjeve se ai duhet të largohej nga Tirana dhe të mos i shfaqej portreti askund, ka bërë që PD të marrë më pak vota se pritej në Tiranë, dhe Lulëzim Basha të votohej nga trupa e tij votuese shëtitëse që është importuar nga qytete të tjera dhe është shtuar po ashtu me vota administrate, vota tribale dhe vota të marra nën presion. Zhdukja dhe rrënimi i siglës së Partisë Demokratike po forcon pak nga pak fenomenin e shkrirjes së kësaj partie me fraksione shumëngjyrëshe të skenës politike shqiptare, me grupe presioni negative, me parti të rrezikuara nga gjyqësori siç është LSI, apo parti që ngjallen e vdesin si pilivesa për një palë zgjedhje. E vërteta e hidhur e këtyre zgjedhjeve është se Partia Demokratike ka marrë një rezultat fyes dhe se në Tiranë kjo parti është sakrifikuar nga emri i Lulëzim Bashës. Rezultati i Partisë Demokratike në Tiranë tregon qartazi se Lulëzim Basha nuk përfaqëson një lider të pranuar në Partinë Demokratike, por një kandidat të imponuar për të qeverisur Tiranën nga një koalicion degradues që drejtohet nga ish kryeministra dhe kryedoganierë socialistë dhe një plak i rrënuar politikisht si Sali Berisha. Ky koalicion duket qartë se nuk ka qenë i interesuar për Partinë Demokratike, por për Lulëzim Bashën, të cilin një shenjë e Zotit e mbajti larg kurorëzimit si kryetar bashkie, duke e ndëshkuar atë për të gjithë gjërat fallco që ka në jetë, që nga dita e parë e karrierës në politikë, deri tek krimi politik i 21 Janarit, ku la dhjetë fëmijë jetimë.

Nga ana tjetër zvogëlimi i Partisë Demokratike dhe rritja e elektoratit tribal “Meta- Idrizi and co” e fut në rrugë pa kthim zvogëlimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike në të ardhmen, si një parti që është peng i këtyre votave negative në shoqërinë shqiptare. Në këtë vend do të ketë gjithmonë punonjës administrate të frikësuar, të cilëve Ilir Meta do t’u kërkojë nga dhjetë vota të fotografuar me celular për familje, do të ketë qytetarë të komunitetit çam, që i japin “besën” njëri- tjetrit të bëjnë ndonjë lek me patenta dhe polici ndërtimi, do të ketë gjithmonë komunitet rom që për 50 euro për familje rri në radhë të votojë atje ku t’i thonë, do të ketë gjithmonë njerëz që votojnë farefisin e tyre kur dikush është kandidat komunal, etj. Këto vota, të cilat më lart i përkufizova si elektorati tribal i Shqipërisë, janë në të vërtetë shpresa e vetme dhe paterica e vetme që mban në pushtet Sali Berishën. Ai dhe kandidatët e tij, sidomos kryekandidati Lulëzim Basha, jo vetëm që nuk po e rrisin atë parti, por po e zvogëlojnë dhe rrudhin edhe më keq në hartën elektorale të Shqipërisë. Lulëzim Basha ka arritur një rekord historik duke marrë 72 mijë vota si kandidat i PD-së dhe 52 mijë vota si kandidat i koalicionit tribal “Meta-Idrizi and co”. Ky nuk mund të jetë më drejtues i PD. Në asnjë rast dhe një asnjë shembull tjetër në historinë elektorale të Shqipërisë nuk ka ndodhur që një kandidat i një partie të madhe, siç është kandidati i PD apo PS, të marrë 55 për qind të votave nga partia e tij dhe 45 për qind të votave nga të tjerët. Kjo tregon se ai realisht është kandidati më pak i mbështetur nga PD në historinë e kësaj partie dhe rrënuesi më i madh i imazhit të asaj partie në gjithë garat elektorale në Shqipëri. Nën emrin e tij PD është votuar më pak se kurrë, dhe kjo tregon se dita- ditës ky “kollovar” politik i ofruar nga familja Berisha në PD, shikohet më shumë si aleat i elektoratit tribal dhe votave të blera se sa si përfaqësues i Partisë Demokratike.

* Shkrimet e rubrikës “Opinion” nuk paraqesin vijën editoriale të NOA

KOMENTE
  • Leko SHevoi11:44 - 17 Maj 2011
    Zoti mero Baze analiza juaj eshte sakte shum votus kan votuar me shume se dy here .PD eshte ne minorance. Ju faleminderit ju gazetareve dhe mediave ne pergjithesi se KQZ i manipuloi votat.