Prishtinë, 17 maj 2011, NOA - Qeveria e Kosovës do të jetë transparente për projektin e autostradës Morinë-Merdare dhe për të gjitha projektet e tjera kapitale, deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, duke iu përgjigjur kundërshtive të paraqitura për këtë projekt.
Krasniqi tha gjatë konferencës për shtyp se Qeveria e Kosovës e respekton plotësisht kontratën me konsorciumin Bechtel-Enka, përfshirë edhe nenin përkatës të kontratës që specifikon konfidencialitetin dhe mbrojtjen e biznesit të kontraktuesit.
Sipas zëdhënësit të qeverisë, palët e interesuara kanë patur mundësi që të kërkojnë qasje në dokumentin zyrtar, sipas ligjeve në fuqi dhe institucionet kompetente e kanë theksuar se kontrata finale mund të shihet, të studiohet, por sikundër tha nuk mund të bëhen kopje të saj.
Krasniqi theksoi se dokumenti i publikuar një ditë më parë është një nga draftet që janë negociuar gjatë procesit të arritjes së marrëveshjes për ndërtimin e autostradës Morinë – Merdare, por nuk është versioni final i kontratës.
“Ajo që është e rëndësishme të thuhet është se projekti për ndërtimin e autostradës paraqet projektin më madhor në historinë e Kosovës, një investim strategjik për zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit. Është një projekt integrues, që Kosovës dhe qytetarëve të saj do t’i ofrojë mundësitë më të mira për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe kapitalit”, tha Krasniqi.
Ministri i Kulturës Memli Krasniqi nënvizoi se “Procesi i ndërtimit të autostradës ka qenë procesi më transparent i mundshëm, për të cilin ka pasur një konkurrencë të hapur dhe të drejtë ndërkombëtare, ku kanë konkurruar shtatë kompani dhe konsorciume me renome globale dhe ku procesi i vlerësimit i udhëhequr nga kompania “Eversheds” ka rezultuar me përzgjedhjen e konsorciumit Bechtel Enka që kishte ofertën më të mirë”. Qeveria e Kosovës ka negociuar kontratën finale me kontraktuesin e përzgjedhur gjatë një periudhe të gjatë dhe ka arritur të finalizojë një kontratë shumë të favorshme, realizimi i së cilës do të bëhet nga kapacitetet financiare të Kosovës, pa nevojën e kredive ndërkombëtare.
“Autostrada Merdar – Morinë do të jetë autostradë e kualitetit më të lartë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin, e ndërtuar sipas standardeve TEM (Trans European Motorway). Përveç kësaj, kontrata me këtë konsorcium është kontrata më e favorshme, krahasuar me cilëndo kontratë të ngjashme në rajon dhe për këtë mund të ju ofrojmë shembuj të shumtë”, tha Krasniqi.
Ai shprehu keqardhjen për keqinterpretimet lidhur me këtë çështje, të cilat i quajti të qëllimshme apo të hedhura thjesht nga padituria e mungesa e përvojës.
mit/NOA