Tiranë, 17 maj 2011, NOA- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili më shumë se çdo herë tjetër është mbushur nga ligjvënës, duket se nuk do e vijojë punën e tij deri në momentin që do ti kthehet normalitetit.
Pas vendimit të grupit të PS që të jetë pjesë e mbledhjes së KQZ-së, kreu i këtij komisioni Arben Ristani e ka pezulluar mbledhjen duke thënë që mbledhja do të fillojë kur gjithë karriget e anëtarëve dhe përfaqësuesve të partive në KQZ të jenë bosh, dhe në momentin kur ky institucion të punojë normalisht.
Kjo deklaratë erdhi pasi njëri nga deputetët e selisë rozë ishte ulur në karrigen e përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, duke bërë që situata të agravohet deri në mbylljen pa çelur mirë të mbledhjes.
Por pavarësisht kësaj, deputetët socialist nuk kanë denjuar të lëvizin, madje të vendosur vijojnë të qëndrojnë atje, në pritje të diskutimit të aktit për fletët e votimit të kontestuara.
Sipas tyre, akt-projekti i KQZ-së, është një projekt i shkruar nxitimthi dhe në kundërshtim me ligjin, pasi nuk bën gjë tjetër veçse synon deformimin e rezultatit të zgjedhjeve, në krah të atyre që janë në pushtet.
a.y/NOA