English

“Salla Ina Rama”, salla e mbledhjeve të Prokurorisë Federale belge

Tiranë, 17 maj 2011, NOA - Salla kryesore e mbledhjeve në Prokurorinë Federale të Mbretërisë së Belgjikës mban prej disa ditësh emrin e kryeprokurores shqiptare, Ina Rama. “Salla Ina Rama” mori emrin e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për bashkëpunimin mes Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë dhe Prokurorisë Federale të Belgjikës, pas nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe, pak ditë më parë në Bruksel.

Sikundër bën me dije zyra e shtypit e kryeprokurores Ina Rama, zonja Rama zhvilloi një vizitë zyrtare disaditore në Mbretërinë e Belgjikës, e ftuar nga Prokurori Federal Johan Delmulle.

Qëllimi i kësaj vizite ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis dy prokurorive.

Marrëveshja u nënshkrua në datën 10 maj, nga dy titullarët e institucioneve, edhe në prani të funksionarëve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë belge, përfaqësuesve të lartë të Policisë, si dhe përfaqësuesve të lartë të Komisionit Evropian.

Marrëveshja midis dy prokurorive, ngre në një shkallë më lartë bashkëpunimin e ngushtë të deritanishëm midis dy institucioneve.

mit/NOA

KOMENTE