Tiranë, 17 maj, NOA – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, në një deklaratë të përbashkët shprehen se shpallja e rezultateve paraprake në Tiranë është e rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit.
“Më shumë se një javë ka kaluar që kur një numër i madh votuesish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj. Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve. Është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Nga ana tjetër, ambasadorët theksojnë se po kaq e rëndësishme është që palëve tu jepet mundësia për ankimimet që mund të kenë për rezultatin. “Po ashtu, është tejet e rëndësishme që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor.
Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik”, thuhet në deklaratën e përbahskët.
a.k/NOA