Nga Artan Fuga
Zgjedhjet lokale përfunduan. Rezultatet kanë dalë gjithandej, pritet edhe ai i Tiranës, si për kryetarin e Bashkisë, kryetarët minibashkive ashtu edhe për këshillin bashkiak. Rëndësi ka që rezultati të certifikohet në mënyrë të drejtë, përfundimisht, dhe më pas, kushdo që të shpallet fitues ta nisë mbarë për administrimin e punëve lokale. Kaq na duhet ne qytetarëve.
Ndërkohë që ka një pjesë të popullsisë që mendon për rezultatin, ndofta ka më pak që mendojnë për vështirësinë e kësaj pune që quhet: “anëtar i komisioneve zgjedhore”, pavarësisht nivelit të tyre, nga ai më baziku deri te Komisioni Qendror Zgjedhor.
Këtë radhë ata që “e paguan” më fort të qenit me këtë status ndofta ishin komisonerët e KZAZ numur 49, pra të njësisë 5 në Tiranë. Jo vetëm për numrin më të madh të votave që kishin për të numëruar, por edhe për shumë rrethana të tjera fort të rënda në planin psikologjik dhe atë politik.
Një ditë pyeta një koleg të huaj perëndimor, sesi m’u kujtua, duke i thënë: “Te ju, në fakt, cili është profili i anëtarit të një komisioni zgjedhor? Kush pranon ta bëjë këtë punë?” Përgjigjen e tij e prisja disi. Ai më tha: “Përveç nëpunësve të ngarkuar me këtë punë, si shtesë shumica janë pensionistë, gra shtëpiake që gjejnë rastin për t’u marrë një aktivitet etj. Është punë pa kokëçarje.”
Dhe vërtet, duket si punë për pensionistë. Shkund kutitë, hidhi fletët e votimit mbi tavolinë, hapi një e nga një, shëno anësinë e çdo vote dhe mblidhi numrat, verifikoji, dhe kaq. Punë më të lehtë nuk bëhet.
Mirëpo këtë radhë vërtet, sa herë hapja televizorin për të parë se çfarë bëhej me votimet, nuk e di përse, por mendja më qëndronte te stresi i komisionerëve të njësisë 5 dhe i atyre në rang qendror.
Presione nga ana e partive politike. Nga ana e partive të tyre me siguri, por edhe nga kundërshtarët përballë. Fyerje sigurisht jo fort të adresuara personalisht, të ardhura nga politikanë që kanë hapësirë televizive në dispozicion. Punë me orare të zgjatura. Ankth midis zbatimit të ligjit dhe dëshirës së zemrës për të parë këtë apo atë kandidat për të fituar. Mbi kokë lloje të ndryshme “shefash”, deputetë, vëzhgues të lartë, dinjitarë të huaj diplomatikë apo përfaqësues të instancave europiane. Diplomatët dhe vëzhguesit e huaj si mbrojtje. Por, çfarë t’u bësh të fortëve vendas që nuk ka ligj e rregull që mund t’i ndalojë për të hyrë e ushtruar presion psikologjik. Numërim në kushte të vështira. Vetëm skena e fundit në sallën e numërimit i ngjante një atmosfere ndeshjesh basketbolli apo volejbolli. Qindra njerëz që thërrisnin brenda sallës. Shumë herë më tepër jashtë. Urdhra apo presione për të ikur, për të pushuar ose vazhduar numërimin. Presione politike, por edhe kërkesat ligjore që duhen respektuar.
Dhe tani ata, sigurisht edhe në nivel qendror, duhet të përballojnë andralla të reja. Thonë se disa dhjetëra qytetarë i kanë hedhur fletët e votimit në kutitë që nuk duhet. Nuk merret vesh se më shumë për kë, për cilin kandidat. Do të na e sqarojnë ndofta sot a nesër a pasnesër.
Tani atyre u duhet të përballojnë edhe “heroizma” të tjera. Kodi zgjedhor kur tregon në mënyrë normative se çfarë do të quhet “votë e pavlefshme”, këtë rast të hedhjes së votës në kutinë tjetër, as nuk e parashikon fare. Këto janë një pjesë e ligjeve tona. Janë ligje shumë aproximative, nuk durojnë dhe nuk përmbajnë specifikime të detajuara imtësisht të rasteve. Ose janë bërë me qëllim ashtu, gjë që nuk e besoj në çdo rast, ose nga paaftësia juridike. Këtë të fundit e besoj më shumë si mundësi.
Tani atyre komisionerëve u kërkohet edhe t’i japin përgjigje një pyetjeje si detyrë e fundit. I ngjan pyetjes që Sfinksi bënte dhe askush përgjigje dot nuk i jepte. Vetëm Edipi i dha përgjigje asaj pyetjeje të vështirë dhe për këtë u bë mbret i Tebës, e për rrjedhojë u martua me Jokastën etj. Historia dihet. Cila është ajo qenie që në mëngjes ecën me katër këmbë, në mesditë me dy këmbë dhe në darkë me tre këmbë? – ishte pyetja. Tmerr e vështirë!
A është e vlefshme apo e pavlefshme një votë e rregullt e hedhur jo në kutinë e përcaktuar për të bërë seleksionimin e votave? Se edhe votat seleksionohen. Ndahen në grupe, në lloje, si perimet a frutat në tregun fshatar, si mbetjet urbane në vendet e zhvilluara, qelqet veç, letrat veç, pjesa tjetër veç. Një praktikë shumë ekologjike për të bërë riciklimin e tyre. Por votat janë një gjë krejt tjetër. Shumë më sublime.
Ja edhe një barrë tjetër që shoqëria - sfinks ka hedhur si hobe mbi shpinën e anëtarit të komisionit zgjedhor. Si t’i quajë këto vota të paseleksionuara si duhet? Unë kam përgjigjen time, por s’është punë debati mediatik kjo gjë. Është çështje e rëndë juridike – nëse ekziston vërtet. Ka ndofta një rrugëdalje për këta komisionerë të mbajtur nën presion dhe që janë si breg ku deti pasi gjithë natën është shkundur si vigan nga furtuna, sjell leshterikë, thasë me sheqer a miell të lagur, qese plastike, trungje pemësh të ardhura nga kushedi ku, shishe plastike dhe në mëngjes, pasi është qetësuar, gjithçka e ka përplasur në breg.
Nuk më duket punë e tyre të japin një përgjigje për të cilën as nuk kanë statusin, as kompetencën, as këllqet për t’iu përgjigjur, as lirinë e përgjigjes, e mbi të gjitha as detyrën ligjore për ta bërë. Arsyeja? Arsyeja është e thjeshtë: Ata mund të përgjigjen se ligji nuk ka formuluar asnjë normë për këtë gjë. Është sikur thotë Dworkin, teoricien i së drejtës, një tekst i hapur, i papërcaktuar, bosh. Sigurisht, është parim i drejtësisë që edhe kur s’ka ligje të fokusuar drejt mbi një objekt konkret, çështja zgjidhet nëpërmjet interpretimit të ligjit ekzistues, nëpërmjet extentio të ligjeve të përafërta, nëpërmjet precedentit etj.
Por, kjo nuk është puna dhe detyra e një anëtari të komisioni zgjedhor. Detyra e tyre është për të interpretuar dhe lexuar fletët e votimit, por jo për të bëre extentio për ligjet. Ata mund të shqyrtojnë faktin juridik, por jo të interpretojnë normën juridike. Kur norma mungon, edhe fakti bëhet i papërcaktuar. Thjesht është punë gjykatash.
Dhe për këtë, për ankimimin juridik, kush dëshiron, duhet të nxitojë, sepse pasi afatet përfundojnë, askush nuk ka më të drejtë të rihapë e të rinumërojë më fletë votimi. Ato digjen. Ky Kod zgjedhor e mbulon me institucione të së drejtës procesin e votimit vetëm përkohësisht. E padrejtë. Sigurisht. Po aq absurde. Por, këtë padrejtësi amà e ka vulosur një ligj. Padrejtësia logjike e sanksionuar nga ligji, qoftë edhe ky i padrejtë, sakohë që ai nuk është anuluar akoma (çka duhet bërë sa më shpejt), mbetet e vetmja e drejtë juridike. Përndryshe kthehemi në gjendje natyrore.