English

Takimi Berisha-ambasadorë: Palët të tregojnë durim deri në rezultatin final

Tiranë, 17 maj 2011, NOA- Nga kryeministria dalin detajet e para të takimit të Kryeministrit Berisha me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Eugen Wollfarth, dhe Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi

Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë me dije për agjencinë e lajmeve NOA, se në takim u bisedua për zhvillimin e procesit zgjedhor dhe numërimin e votave, i cili po vijon pas mbylljes së qendrave të votimit.

Theksohet se ambasadorët vlerësuan zhvillimin e qetë të zgjedhjeve dhe vlerësuan lart deklaratat e kryeministrit të bëra mbas mbylljes së procesit të numërimit për Tiranën, që në kushtet e një rezultati shumë të ngushtë, palët duhet të tregojnë durim deri në daljen e rezultatit final të certifikuar ligjërisht.

Ambasadorët theksuan se një qëndrim i tillë, i cili tregon lidership, ishte një kontribut i rëndësishëm në këtë fazë të procesit.

Nga ana e tij kreu i qeverisë, Berisha i falenderoi ambasadorët për kontributin e çmuar që ata dhanë nëpërmjet angazhimit personal dhe të stafit të tyre si në ditën e zgjedhjeve ashtu dhe gjatë numërimit të votave.

Kryeministri theksoi se ai dhe mazhoranca, ashtu si para zgjedhjeve, edhe në këtë moment, qëndrojnë të bindur se çdo votë e hedhur nga zgjedhësit do të vlerësohet dhe numërohet me saktësi dhe se rezultati final do të pasqyrojë saktësisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

Ndër të tjera, Berisha theksoi se rezultatet e shpallura, duhet që të përfshijnë çdo votë të hedhur nga zgjedhësit dhe se administrata zgjedhore ka për detyrë që ti japë vlerën e duhur, në mënyrë të njëtrajtshme, çdo vote në të cilën zgjedhësi ka shprehur qartë vullnetin e tij.

Në përfundim, Kryeministri nënvizoi se sistemi i numërimit rikonfirmoi se, ashtu si në 2009, procesi shqiptar i numërimit të votave siguron transparencë të plotë, besim të palëve e për rrjedhojë shmang ankimet mbi rezultatin.

Ndërkaq pas takimit me kreun e qeverisë, tre ambasadorët janë nisur për një takim me kryesocialistin Edi Rama, nga i cili ende nuk kanë dalë.

a.y/NOA

KOMENTE