Tiranë, 17 maj 2011, NOA- Ndonëse kryeqyteti nuk e ka zyrtarisht kryebashkiakun e tij, ndaj kryesocialistit Edi Rama, vijojnë urimet për fitoren për mandatin e katërt për drejtimin e bashkisë.
Këtë herë urimi për liderin e së majtës ka ardhur nga kryetari i Partisë Socialiste Bullgare, Sergei Stanishev, i cili ka vijuar urimet për rizgjedhjen e tij në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
“Kjo fitore e vështirë, por vendimtare në zgjedhjet lokale, në kryeqytetin e Shqipërisë, si dhe në të gjithë vendin tregon se përpjekjet tuaja si lider i Partisë Socialiste të Shqipërisë kanë qenë shumë të mëdha dhe të suksesshme. Jo vetëm anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Socialiste të Shqipërisë treguan mbështetjen vendimtare për misionin tuaj si lider, por gjithashtu shumica e shoqërisë shqiptare deklaroi vullnetin e saj për një Shqipëri të
qeverisur më mirë nga e majta. Fitorja e jashtëzakonshme është fitore për Partinë Socialiste të Shqipërisë, por mbi të gjitha për popullin shqiptar, që tregoi në mënyrë të qartë vendosmërinë dhe kundërshtinë ndaj maxhorancës së Berishës”, thuhet në mesazhin e urimit të kreut të socialistëve Bullgar.
a.y/NOA