Kurbin, 17 maj 2011 NOA – Një i ri i ka dhënë fund jetës tragjikisht duke u vetëvrarë në shtëpinë e tij, pak metra larg pjesëtarëve të tjerë të familjes që ndodheshin në kuzhinë.
Ngjarja ka ndodhur vetëm pak minuta më parë në orën 20.15 në qytetin e Laçit, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Burimet zyrtare të policisë së Kurbinit konfirmuan për NOA se Bledar Sefa humbi jetën
si pasoje e një akti vetëvrasës.
Familjarët e viktimës kanë dëgjuar një të shtënë arme në dhomën e gjumit të 24 vjeçarit dhe menjëherë kanë hyrë brenda duke u përballur me nj skemë tragjike, si të një filmi horror.
Sefa kishte qëlluar mbi kokën e tij, me një çifte shotgan, duke pësuar më pas vdekjen e menjëhershme.
Familjarët janë munduar t’i japin ndihmën e shpejtë duke e dërguar në spitalin e Laçit, por nuk kanë mundur dot t’i shpëtojnë jetën, pasi mjekët e këtij spitali kanë konfirmuar vdekjen që në momentin e goditjes me armë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë së Laçit të cilët morën dëshmitë e familjarëve dhe ekzaminuan vendin e ngjarjes, ndërsa kanë sekuestruar edhe armën e krimit.
Zyrtarisht policia tha se “ngjarja ka ndodhur në banesën e Sefës. Duke theksuar se “po vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”.
Ndërsa mendohet paraprakisht se viktima vuante nga probleme nervore, për shkak edhe të papunësisë së tij.
a.b/e.t/NOA