Tiranë, 18 Maj 2011 NOA - Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot në mbrëmje një takim informal me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu. Takimi u bë në ambientet e lokalit Whiskey në zonën e ish-Bllokut.
Pasi kanë dalë nga lokali, rreth mesnatës duke hyrë e mërkura, z.Arvizu nuk ka refuzuar të flasë për mediat që ishin të pranishme aty duke folur mbi procesin elektoral ende pezull.
Arvizu lidhur me rezultatet e zgjedhjeve dhe pyetjen “kur do te mbaroje kjo, pasi njerëzit po presin?” dha këtë përgjigje:
“Ja pse unë jam takuar dhe me zotin Rama, me zotin Berisha dhe po ashtu me zotin Basha, per te njëjtën arsye. Kjo do të marrë kohë. E rëndësishme është se ne duhet te fokusohemi tek një proces ligjor pra janë vetëm 10 vota është shumë e vështirë për të bërë diferencën me një rezultat kaq të ngushtë. Duhet të tregohemi të duruar. Ju po kërkoni përgjigje por unë nuk e kam përgjigjen tani, kjo është diçka që partitë shqiptare duhet të punojnë për të, dhe unë mendoj se do t’ia dalin”.
Më tej z.Arvizu përmendi se kjo ishte një fushatë e gjatë, duke shtuar: “Unë e di shumë mirë sa shume ka punuar Basha dhe zoti Rama”, dhe theksoi edhe se “po ashtu për këtë fushatë kanë punuar dhe një numër shumë i madh njerëzish.
Në këtë pikë, z.Arvizu vlerësoi se “numërimi i votave u bë, dhe unë mendoj se numërimi i tyre ishte transparent. Pra nuk mbetet shumë për të shtuar”.
“Mirëpo, - deklaroi z.Arvizu, - gara ende nuk ka mbaruar, mbetet për tu thënë fjala e fundit dhe ne duhet të punojmë për të”.
Në këtë mënyrë, deklarata e orëve të vona të z.Arvizu, ishte padyshim një dush i ftohtë për z.Rama duke e qartësuar atë se nuk është ai fitues i shpallur i postit të kryebashkiakut të Tiranës por i duhet të presë rezultatin që do të shpallë KQZ.
e.t/NOA