Tiranë, 18 maj 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha në daljen e pak minutave më parë për mediat shprehu vendosmërinë e tij për të dëgjuar deri në fund zërin e çdo qytetari, duke u lexuar çdo votë e tyre.
Ai falënderoi edhe njëherë numëruesit dhe komisionerët për punën e bërë, për të bërë të mundur leximin e çdo vote.
Ndër të tjera Basha u bëri thirrje qytetarëve që të presin rezultatin përfundimtar për garën e Tiranës, pasi tha ai duhet të pritet me qetësi e durim numërimi i çdo vote.
“Vlerësoj numërimin e votave dhe ende atyre të vendosura aksidentalisht në kutitë e tjera. Gjuha provokuese dhe përpjekjet për të ushtruar presion mbi atyre njerëzve që numërojnë është tërësisht e pavend. Edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar ruajtjen e qetësisë, por theksoj se të gjitha subjektet politike kanë të drejtë të ankimojnë vendimet, pasi duhet të mbizotërojë rendi ligjor. Ne nuk kemi ende një fitues, kandidati tjetër ka vendosur të mos e respektojë këtë proces, në vend të ndjekë rrugën ligjore ka vendosur të ndjekë rregullat e rrugës”, deklaroi Basha.
Më tej ai shtoi se Rama, nuk dëshiron të numërojë këto vota pasi nga numërimi i tyre edhe mund te humbasë, madje theksoi se me thirrjet për revoltë ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin në erë besueshmërinë e tyre.
Çdo përpjekje për të mos lejuar dëgjimin e zërit, kandidati i maxhorancës e cilësoi si një një përpjekje për të penguar demokracinë, pasi veçoi ai është e pamundur që numërimi i çdo vote të jetë manipulim.
Në vijim Basha tha se, “Rama dëshiron ti mbysë zërat pa u dëgjuar akoma, revolta që po përpiqet të bëjë gjithçka që këto zëra të mos dëgjohen. Dilema është nëse, do dëgjojmë zërin e qytetarëve apo do të rinisim luftën politike. Zoti Rama tha sot se ai do të njihte humbjen qoftë edhe me një votë, më ndjeni por nuk e besoj, unë përsëris thirrjen time se do e njohë çdo rezultat, natyrisht në përfundim të gjithë procesit të numërimit të votave, pasi në këto momente nuk është as rezultati përfundimtar”.
Në përfundim kandidati i djathtë deklaroi se, duhen lënë qytetarët të vendosin për kryebashkiakun e ardhshëm e Tiranës dhe jo dhuna.
a.y/NOA