English

Deputetët e PS çajnë me forcë rrethimin policor, duan të futen në KQZ

Tiranë, 18 maj 2011 NOA – Një situatë që të kujton demonstratën e dhunshme të 21 janarit është duke ndodhur në këto momente pranë selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Një numër deputetësh socialistë, ku spikasnin Dashamir Peza, Gazmir Bizhga, Paulin Sterkaj, etj., arritën përmes forcës të çajnë rrethimin e parë policor duke u futur në mjediset para selisë së KQZ ku në fakt ndodhet një tjetër kordon policor.

Situata brenda KQZ është shumë e tensionuar, raporton gazetari i NOA që ndodhet në godinën e Pallatit të Kongreseve ku pritet të nisë mbledhja e planifikuar e KQZ.

Sakaq jashtë ambienteve ka një numër të shtuar forcash policore dhe ato speciale.

Po ashtu përpara selisë së KQZ gjenden disa dhjetëra militantë dhe përkrahës të opozitës të cilët po thërrasin për fitoren e Edi Ramës.

Gjithçka po ndodh pasi KQZ ka planifikuar të shqyrtojë një akt ku kërkohet të pranohen si të vlefshme disa vota që u gjetën në kutitë e minibashkive, të dhëna për kandidatët e bashkisë por futur gabimisht te të tjerat.

Ndërkohë në këto çaste, mbledhja sapo ka filluar me prezantimin e aktit nga përfaqësuesi ligjor i PD, Njazi Kosovrastti.

e.t/NOA

KOMENTE