Tiranë, 18 maj 2011, NOA – Pas urdhrit për t’u rikthyer në selinë rozë, deputetët socialistë janë larguar para pak minutash nga selia e KQZ-së ku kishin mbërritur prej orës 09.00 të mëngjesit në përpjekje për të marrë pjesë në seancën e shumëpritur të KQZ-së ku po shqyrtohet akt-vendimi për numërimin e fletëve të votimit të kontestuara.
Burime brenda PS-së informuan se deputetët socialistë janë thirrur për të marrë pjesë në një mbledhje urgjente të grupit të deputetëve të PS-së, nga Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njëherësh kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” për të katërtin mandat në bashkinë e Tiranës.
Deputetët socialistë dhe militantët e kësaj partie që ishin dyndur në oborrin e KQZ-së qysh në orët e paradites kanë braktisur selinë e KQZ-së duke mbërritur tashmë në selinë rozë, ku pritet që pas pak të nisë mbledhja e grupit të PS-së.
Por ndërsa mjediset e Partisë Socialiste janë tejmbushur me simpatizantët e PS-së, brenda në zyrën e kryesocialistit Edi Rama ndodhej edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, i cili sapo përfundoi takimin kokë më kokë me liderin e opozitës për situatën e tensionuar postzgjedhore.
Takimi me kreun e PS-së erdhi menjëherë pas takimit me presidentin Bamir Topi.
Ambasadori Arvizu doli nga selia rozë i shoqëruar nga kryesocialisti Rama, mes për mes simpatizantëve.
mit/NOA