English

Fitorja jonë dhe humbja e Saliut

Nga Edi Rama

Shqiptarë e shqiptare kudo ku ndodheni,

Njerëz të zakonshëm të këtij vendi që keni votuar ose jo për kandidatët e Aleancës për të Ardhmen apo për mua personalisht këtu në Tiranë, lejomëni të ndaj me ju, shumë sinqerisht, shqetësimin tim të jashtëzakonshme për çfarë ka ndodhur sot dhe për çka mund të ndodhë nesër pas këtij dhunimi të paligjshëm të votës së popullit përmes KQZ-së së Saliut.

E panë të gjithë, e dëgjuan të gjithë, miliona sy e veshë shqiptarësh dhe të gjithë sytë e veshët e komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, se ne i fituam zgjedhjet në Tiranë.

Një fitore e qartë edhe pse me vetëm 10 vota, pas një numërimi ku s’mbeti asnjë shqiptar në botë pa lexuar në kohë reale çdo votë të nxjerrë nga kutia.

Edhe njëherë faleminderit përfaqësuesve ndërkombëtarë, ambasadorit amerikan, ambasadorëve të BE-së e të OSBE-së, ambasadorit holandez dhe posaçërisht misionit të ODHIR që zgjati qëndrimin në Shqipëri. Sepse, pa këta miq e partnerë të pazëvendësueshëm të popullit shqiptar, stërfuqia e pushtetit, parasë, manipulimit që na u vu përballë me muaj të tërë, do t’i kishte gëlltitur dhe ato 10 vota të arta, njësoj siç gëlltiti, me gjithfarë formash, nga listat e fryra paligjshmërisht tek votat e blera babëzisht, diferencën e madhe të votave që në fakt ekziston në kryeqytet mes nesh e kundërshtarëve tanë.

Saliu kërkoi, vetë dhe përmes zëdhënësve të tij, qysh me fillimin e numërimit, që unë të pranoja rezultatin.

Pavarësisht se humbja ime, qoftë edhe me një votë, nuk do të ishte në të vërtetë shprehje e lirë e vullnetit të kryeqytetasve për shkak të një deformimi të rëndë e sistematik të votës sonë kohë të tëra para 8 majit e deri edhe ditën e votimit apo në ditët e numërimit, të gjithë në këtë seli e dinë se unë isha plotësisht i gatshëm ta pranoja rezultatin.

Por dora e popullit e ndali, mu në metrat e fundit, makinerinë kolosale të pushtetit, të parasë, të manipulimit, dhe nga kutitë e zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë doli fitorja jonë dhe humbja e Saliut.

Tirana plotësoi kësisoj hartën e një fitoreje historike për Partinë Socialiste dhe Aleancën për të Ardhmen. Kjo fitore e qartë fare, na ka nxjerrë forcën më të madhe politike në vend, me diferencën më të thellë që kemi pasur ndonjëherë në 20 vjet nga Partia Demokratike, dhe na ka ngarkuar të qeverisim thuajse trefishin e territorit që do të qeverisin të zgjedhurit vendorë të palës tjetër.

Por, por ashtu, kjo fitore, e cila na ka bërë më të vetëdijshëm për fuqinë tonë të madhe elektorale, na ka bërë njëkohësisht edhe më të përulur përpara njerëzve e interesave kombëtare të këtij vendi.

Me këtë vetëdije e përulësi, unë përcolla në fjalën e fitores mesazhin e gatishmërisë për të hapur një faqe të re në politikën e vendit, duke shpresuar se pala tjetër do ta lexonte humbjen e saj, në Tiranë e në shumicën dërrmuese të territorit që kërkon mirëqeverisje, si një mësim për të rindërtuar urën e këputur të mirëkuptimit me opozitën.

Në vend të pranimit të rezultatit transparent, të nxjerrë botërisht nga kutitë e zgjedhjeve në Tiranë, si edhe të hapjes së një faze të re politike për mirëkuptimin me opozitën, në të mirë të Shqipërisë e të çdo shqiptari, Saliu zgjodhi mospranimin e rezultatit dhe një revansh antiligjor që sot ka revoltuar mbarë Shqipërinë.

Sa keq!

S’ka më keq për një vend që meriton kaq shumë dhe që vuan përditë e më shumë borxhin ku e zhyt dhuna e një politike të vjetër, të pabesë, të pafytyrë, e cila sot ka marrë trajtën e një regjimi që nuk pranon as aritmetikën e votave të numëruara në sytë e miliona njerëzve.

Aritmetika e thjeshtë u përmbys në tavolinën e një institucioni që quhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por që sot u vetëpagëzua në sytë e të gjithë shqiptarëve si Komisioni Qendror i Vjedhjeve. Dhe vjedhja u krye nën mbrojtjen e një masë policësh e forcash speciale, që me praninë e tyre dëshmuan, ditën për diell, vullnetin e egër të paligjshmërisë e të papërgjegjshmërisë që mishërohet në figurën fatkeqe të kryeministrit të këtij vendi. I cili i ka harruar të gjitha mësimet e hidhura të së shkuarës dhe synon ta kthejë Shqipërinë paskëtaj në një vend ku sundon tirania e gënjeshtrës, manipulimit, rrënimit moral e politik të shoqërisë.

KQZ-ja sot, në bazë të Kodit Zgjedhor që kemi shkruar e miratuar së bashku, duhet vetëm të nxirrte rezultatin përmbledhës, bazuar mbi 485 procesverbalet e 485 kutive të votimit në Tiranë, të cilat ne i disponojmë dhe i paraqitëm dje para publikut një nga një, në formën e tyre origjinale, me të gjitha firmat e komisionerëve të të dy palëve.

Por KQZ-ja në shkelje të ligjit, të së drejtës së qytetarëve, të kërkesës së ndërkombëtarëve, sot nuk mblodhi po vodhi. Komisioni Qendror i Vjedhjeve, vodhi rezultatin e fitores sonë dhe hapi një tunel të errët për liritë e të drejtat e çdo qytetari.

E bëri këtë krim të mirëfilltë zgjedhor, duke kërkuar të numërohen vota të gjetura në kuti të tjera, ndërkohë që kodi e thotë, madje shumë qartë, që vota hidhet vetëm në kutinë përkatëse e jo në të tjera kuti. Ashtu sikundër edhe historia e po kësaj KQZ-je e tregon, prapë shumë qartë, se votat e gjetura jashtë kutisë përkatëse asnjëherë nuk janë konsideruar të vlefshme. Kanë qenë e mbeten vota të pavlefshme dhe pikë, aq më tepër pasi gara ka mbaruar me një rregull nuk mund të rihapet me një rregull tjetër.

Ndodhi çfarë nuk duhet të ndodhte, jo për mua, as për Bashkinë e Tiranës, po për ekuilibrat demokratike dhe kuadrin ligjor të këtij vendi. Pas këtij akti Shqipëria nuk është më vendi që ishte, sepse ky akt asgjëson edhe atë pak bashkëjetesë të brishtë demokratike që ekzistonte deri dje mes qeverisë e opozitës.

Sot opozitës shqiptare i janë treguar të gjithë dhëmbët nga pushteti që dy vjet më parë vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, kurse tanimë përmbysi zgjedhjet për të përmbysur demokracinë.

Kjo përmbysje e dhunshme, të nderuar bashkëqytetarë, shkon shumë përtej interesave të opozitës politike, sepse minon stabilitetin e interesave të shoqërisë e të çdo individi që i përket kësaj shoqërie pa dashur t’i përkasë oborrit të kësaj qeverie.

Kjo është një përmbysje që kthen plotësisht Shqipërinë në vendin ku për pushtetin asgjë e paligjshme nuk është e pamundur, ndërsa për këdo që nuk i nënshtrohet këtij pushteti liritë e të drejtat e ligjshme nuk janë medoemos të mundura. Kur vidhet e dhunohet kështu si sot, hapur, egër, paturpësisht, në lirinë e të drejtën e saj vetë opozita, partia më e madhe e vendit, kandidati i saj fitues për kryeqytetin merreni me mend se çfarë u ndodh nesër gjithë të tjerëve, në jetën e tyre, në punën e tyre, në liritë dhe të drejtat e tyre.

E kur them të gjithë kam parasysh çdo qytetar, çdo votues, jo vetëm ata që kanë votuar për opozitën. Një vjedhje e tillë nuk fyen e nuk dëmton me pasojat e saj të pallogaritshme vetëm votuesit e palës sonë, por çdo votues, çdo shqiptarë të ndershëm, socialist a demokrat po njësoj. Kjo vjedhje fyen çdo familje të zakonshme shqiptare që trashëgon mësime morale nga të parët e vet dhe edukon fëmijët me këto mësime të mira, në një Shqipëri të nëpërkëmbur përditë prej veseve të pushtetit, ku vjedhja sot po jepet mësim në televizor nga qeveria.

Kjo është një ditë që shpërfaqi edhe për më të verbrit e më shurdhët e kësaj shoqërie, të gjithë përmasën tronditëse të plagës që e bën demokracinë shqiptare të përpëlitet prej vitesh, duke bërë të përpëliten si në një kurth, me vite të tëra, njerëz të zakonshëm të këtij vendi që s’ gjejnë dot asnjë qetësi e siguri brenda një sistemi të tërë dhune, padrejtësie, korrupsioni.

Kjo ditë shënon pikën e një kthese dramatike në rrugën plot zigzage e të përpjeta të këtij populli në kërkimin cfilitës të demokracisë, zhvillimit, mirëqenies.

Është një kthesë e fortë, brutale, pjellë e një mendjeje të shthurur që nuk arsyeton përveçse për interesat e një familjeje të pangopur për pushtet e para, për interesat e një klani të madh pushtetarësh të angazhuar në një proces shkatërrues për demokracinë shqiptare, për interesat e një klientele të emëruar në menaxhimin e çdo pike nevralgjike të ekonomisë së vendit, duke zhdukur me dhunë konkurrencën e konkurrentët në treg.

Në këtë kthesë të fortë, kemi përpara ose humnerën teposhtë ku mund të humbasë çdo shpresë, liri dhe e drejtë e këtij populli për vite të tëra në vijim, ose majën e lartë, ku duhet të ngjitemi për të shpëtuar demokracinë, me fuqinë e të vërtetës e të së drejtës që kemi me vete dhe padyshim, me të gjitha sakrificat që kërkon në këto kushte të vështira mbrojtja e të vërtetës dhe rivendosja e së drejtës. Detyra jonë, detyra ime si kryetar i Partisë Socialiste dhe Aleancës për të Ardhmen, është e qartë:

Të ndalim rrokullisjen e Shqipërisë në humnerën teposhtë dhe të ngjitemi me fuqinë e të vërtetës e të së drejtës që kemi me vete, në majën e lartë ku ky popull meriton të jetojë i paprekur në liritë e veta demokratike, i pashkelur në të drejtat e veta kushtetuese e ligjore, i papenguar në rrugën e ëndrrave e shpresave të tij. Sot kjo do të thotë të bëjmë gjithçka mundemi, me zemër e me trup, në çdo anë të vendit, për ta zmbrapsur në vendin e vet qeverinë që ka kapërcyer të gjithë kufijtë e saj kushtetuese e ligjore për të marrë peng demokracinë, institucionet, vetë popullin sovran.

Revolta që zien në shpirtin e çdo shqiptari të lënduar nga kjo vjedhje e paskrupullt e votës ditën për diell, me gangsterë që dhunojnë ligjin e policë që mbrojnë dhunuesit, duhet të dalë në rrugë.

Të gjitha ata, që të revoltuar e ndjejnë votën e vjedhur në mes të Tiranës si votën e tyre, si lirinë e të drejtën e tyre, si pronën e tyre të paprekshme, kudoqofshin, duhet të dalin në rrugë bashkë me revoltën.

Çdo qytetar i këtij vendi që tanimë e ka kuptuar se vota e bën jetën e njeriut më të mirë ose më të keqe, më të denjë ose më të padenjë, më të mirëqenë ose më të varfër, s’duhet të presë që jeta e tij të ndryshojë për mirë pas kësaj vjedhje flagrante të votës, po duhet ta nxjerrë revoltën legjitime në rrugën e betejës qytetare që kemi përpara për një jetë më të mirë. Për veten e tij, për familjen e tij, për vendin e tij.

E di mirë sesa shumë janë ata që kanë frikë nga frika që ky regjim u ka kallur në shpirt duke i kërcënuar në bukën e gojës. E di mirë sesa shumë janë ata që kanë frikë nga varfëria që ky regjim u ka imponuar në rrugën e frikës. E di mirë sesa shumë janë ata që kanë frikë nga çfarë mund të humbasin akoma pas shumëçkaje kanë humbur në këto vite padrejtësisht të kthyera në sistem. Por lejomëni t’ju them se e di fort mirë, si bukën që ha e diellin që shoh, se e keqja që ushqehet me votën e vjedhur nuk bëhet kurrsesi më e mirë, por vetëm më e keqe dhe po e lamë të bëjë të vetën, papunësia, çmimet, faturat, shpenzimet, kërcënimet, padrejtësitë, pamundësitë, vetëm do të rriten e kurrizi i njerëzve të zakonshëm vetëm do të shtrembërohet nën peshën e së keqes.

Në 8 maj qytetet e Shqipërisë i thanë masivisht, “Kurrë më!” të keqes, edhe fshatrat i ndoqën pas më të shumtë në numër se më parë, pavarësisht se në fshat presioni i pushtetit e fuqia deformuese e parasë e pengon shumë demokracinë të punojë përmes votës së lirë.

Thirrja ime sot për qytetet e Shqipërisë është të ngrihen në këmbë për ti thënë, “Kurrë më!”, atyre që vazhdojnë të vjedhin votën për të vazhduar të vjedhin e rrënojnë Shqipërinë duke vjedhur dhe rrënuar familjet e zakonshme të këtij vendi.

Kjo është rruga jonë sot. Kjo është vetmja rrugë për një popull që mes skllavërimit në gjumë dhe lirisë në këmbë, zgjedh lirinë duke respektuar veten dhe shkruar me dinjitet historinë e tij.

Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, unë e kam bërë zgjedhjen time.

Të gjithë në këmbë! Të gjithë në rrugë! Të gjithë në kërkim të së drejtës që kemi me vete dhe me fuqinë e së vërtetës që mbrojmë. Duke i falënderuar edhe njëherë miqtë e partnerët ndërkombëtare, për gjithë sa bënë deri këtu, sidomos gjatë numërimit në Tiranë, u them modestish dhe sinqerisht, si qytetar i këtij vendi, si prind që dëshiron që fëmijët e tij të jetojnë në një Shqipëri demokratike, ku çdo qytetar gëzon liri e të drejta kushtetuese të panegociueshme, si kryetar i Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare:

Mos e lini sot Shqipërinë të bjerë në humnerën teposhtë.

Historia e re e këtij vendi e ka treguar, më shumë se njëherë, që edhe pse i vogël dhe i varfër, ky vend nuk e mban dot urtësisht gjatë në qafë një regjim që ngrihet mbi votën e vjedhur. Ju të gjithë e patë me sytë tuaj atë që panë shqiptarët, edhe votën e numëruar, edhe vjedhjen e saj. Mos lejoni të përsëritet një histori e vjetër, që sot ka ardhur koha të ndryshojë njëherë e përgjithmonë, në respekt të plotë të së drejtës së popullit shqiptar për të mos u vjedhur më kurrë në votën e vet.

Kjo nuk do të thotë të jeni me opozitën, kjo do të thotë të mos bëheni palë me ata që sot e vodhën opozitën. Ne besojmë në vlerat e parimet universale të demokracisë që ju promovoni prej njëzet vjetësh në Shqipëri. Ne e duam Shqipërinë të lirë e demokratike, njësoj si në vendet tuaja. Ne jemi gati të bëjmë detyrën tonë atdhetare e qytetare në të mirë e në të keq.

Sot qeveria e këtij vendi ka zgjedhur të bëjë më të keqen duke shkelur dhunshëm vullnetin e popullit sovran. Detyra jonë është të përballemi me këtë të keqe, paqësisht por më të vendosur se kurrë, në emër të sovranit, si fitimtarë që kërkojnë hakun e tij.

SHIKONI VIDEON:

22

KOMENTE
  • veri00:37 - 19 Maj 2011
    PERKUNDRAZI ZOTI RAMA ,KJO ESHTE FITORE E PASTER E BASHES , DHE I UROJ PUN TE MBARE , . NE ZGJEDHJET E KALUARA BERTISJE HAPNI KUTIT NDERSA KET RADHE MBYLLNI KUTIT /?