Tiranë, 18 maj 2011, NOA – Pas hapjes së kutisë së votimit 1759 të njësisë minibashkiake 7 pa miratimin e përfaqësuesve të opozitës në KQZ, dy fletët e kontestuara të gjetura brenda saj ishin vota të vlefshme për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha.
Kryekomisioneri Arben Ristani urdhëroi që këto dy vota të futen në një zarf më vete.
Dy votat e gjetura pro Bashës kanë ashpërsuar debatin brenda KQZ-së, pasi nënkryetarja e institucionit Dëshira Subashi kërkoi të hapen edhe votat e kontestuara në favor të Edi Ramës.
Subashi e cilësoi leximin e këtyre fletëve të paligjshëm.
Ajo tha se fletët e votimit që po numërohen nuk janë të kontestuara, pasi sipas saj ato nuk kanë mbrapa shënimin nga komisionerët e KZAZ-së që i kanë numëruar.
Por, kryekomisioneri Ristani tha se “Fletët e votimit janë të rregullta, pasi kanë të dyja vulat”.
Ndërkaq kreu i KQZ-së tha se në kutinë 1759 janë edhe dy fletë në favor të Partisë Republikane, e Demokracisë Sociale.
Ndërkohë mes fletëve u gjet edhe një fletë e vlefshme për kandidatin për Këshillin e minibashkisë në favor të Partisë Socialiste.
Këto fletë me urdhër të kreut të KQZ-së u futën në një zarf më vete.
Ndërkohë pritet që këto vota të shtohen në tabelën përmbyllëse për rezultatin pë kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Mbledhja e KQZ-së u ndërpre rishtas nga kreu Ristani për 15 minuta pushim deri në përpilimin e procesverbalit që do t'i bashkëngjitet tabelës përmbyllëse të KZAZ-së së njësisë 7.
mit/NOA