Tiranë, 18 maj 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi para pak minutash edhe kutinë 1762 të KZAZ-së nr. 47, duke vlerësuar edhe dy fletë votimi të vlefshme për kryebashkiakun e Tiranës, njëra e adresuar për kandidatin e majtë Edi Rama dhe tjetra adresuar kandidatit demokrat Lulzim Basha.
Kreu i KQZ-së pas shqyrtimit të këtyre fletëve të kontestuara miratoi që ato t’i shtohen tabelës përmbyllëse të KZAZ-së nr. 47 që i përket njësisë bashkiake 3 në kryeqytet, një vendim i miratuar vetëm me katër votat e përfaqësuesve demokratë në KQZ.
Ndërkaq Ristani theksoi se “Do të ndryshojmë edhe tabelën përmbyllëse të rezultatit në KZAZ-në 47 për Këshillin Bashkiak duke shtuar këtu dy fletë votimi të kontestuara në favor të Partisë Socialiste, tri fletë votimi në favor të PD-së, dhe një në favor të Aleancës Demokratike.
Ndërkohë shqyrtimi i fletëve të kontestuara të dy kutive të KZAZ-së 47 në Tiranë, përkatësisht të kutisë 1759 ku u gjetën dy fletë votimi të vlefshme në favor të Lulzim Bashës dhe asaj me numër 1762 ku u gjet një fletë votimi në favor të Edi Ramës dhe një tjetër në favor të Lulzim Bashës, dhe shtimi i tyre në tabelën përmbyllëse të KZAZ-së ndryshon edhe diferencën mes dy kandidatëve për bashkinë e Tiranës, e cila ngushtohen në 8 vota diferencë, në favor të Edi Ramës.
Pas numërimit edhe të këtyre votave, kreu i KQZ-së Ristani mbylli mbledhjen e KQZ-së për pushimin e gjatë të drekës duke paralajmëruar se mbledhja e radhës do të jetë në orën 18.00.
mit/NOA