English

KQZ ndryshon rezultatin për kryebashkiakun në tabelën përmbyllëse të njësisë 3

Tiranë, 18 maj 2011, NOA Update – Kryetari i KQZ-së Arben Ristani vijoi mbledhjen me miratimin e ndryshimit të tabelës përmbyllëse për KZAZ-në nr. 47, duke shtuar në kutinë për kryebashkiakun edhe dy fletët e votimit të kontestuara, që i adresohen kandidatit demokrat Lulzim Basha.

Dy fletët e kontestuara i përkisnin kutisë 1759 të KZAZ-së 47.

Shtimi i fletëve të kontestuara në tabelën përmbyllëse u arrit me miratimin me katër vota të përfaqësuesve demokratë në KQZ.

Më pas kryekomisioneri Ristani vijoi edhe me shtimin në tabelën përmbyllëse të KZAZ-së 47 të fletëve të votimit të kontestuara që i adresoheshin Këshillit Bashkiak dhe atij të minibashkisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon mbledhjen e tij për ndryshimin e tabelave përmbyllëse të rezultateve për kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe shqyrtimin e fletëve të kontestuara në kushtet kur jashtë mjediseve të institucionit kushtetues janë tubuar qindra simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët i janë përgjigjur thirrjes për mbrojtjen e votës të kreut të grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi.

Pranë qytetarëve janë afruar edhe deputetët e Partisë Socialiste.

Ndërkohë disa kordonë me efektivë të Policisë së Shtetit dhe ata të ndërhyrjes së shpejtë janë vendosur në mbrojtje të KQZ-së, si dhe për të shmangur një revoltë të mundshme popullore të paralajmëruar nga selia rozë.

mit/NOA

KOMENTE