Tiranë, 18 maj 2011, NOA/Irma Toptani - Lufta e numrave për udhëheqjen e bashkisë së Tiranës i ka kthyer sytë e shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve pranë institucionit kushtetues të shpalljes së rezultateve zgjedhore, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku sot u shtuan edhe katër vota të vlefshme për garën e kandidatëve në Tiranë.
Pas shqyrtimit të fletëve të kontestuara dhe numërimit të votave të vlefshme për kryetarin e bashkisë së Tiranës, KQZ vendosi që këto vota t’i shtohen tabelës përmbyllëse të rezultatit të KZAZ-së nr. 47 në Tiranë, që i përket njësisë bashkiake nr. 3.
Duke qenë se votat e numëruara nga KQZ në të dyja kutitë e KZAZ-së nr. 47 ishin tri në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha dhe njëra në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama, që rikandidon për të katërtin mandat në krye të bashkisë së kryeqytetit, ato ndryshojnë edhe rezultatin paraprak pë Tiranën.
Tashmë në tabelën përmbyllëse të rezultatit për minibashkinë 3 shtohen plot tri vota për Lulzim Bashën dhe një për Edi Ramën, duke bërë që edhe diferenca mes tyre të ulet në 8 vota.
Kështu ndërsa tabela përmbyllëse e minibashkisë 5 shpalli fitues Edi Ramën me 10 vota në avantazh ndaj Lulzim Bashës, është njësia bashkiake nr. 3 që me vendimin e KQZ-së zbret diferencën e votave mes kandidatëve.
Tashmë pritet që KQZ të marrë në shqyrtim edhe fletët e kontestuara të gjetura në KZAZ-në nr. 49 që i përket njësisë bashkiake 5, e cila deri pak ditë më parë u bë epiqendra e betejës së numrave për bashkinë e Tiranës.
Edhe pse përfaqësuesit socialistë në KQZ e cilësuan një veprim të paligjshëm numërimin e fletëve të kontestuara, kreu i KQZ-së Arben Ristani e mbrojti vendimin e tij dhe të KQZ-së duke deklaruar se fletët e votimit ishin tërësisht të rregullta, me dy vulat dhe shenjën e rregullt ku votuesi kishte shënuar verdiktin e tij për kandidatin për kryetar bashkie.
Ristani theksoi se po numërohen vota për kryebashkiakun, të cilat nuk janë numëruar më parë, duke e argumentuar me faktin se e drejta për të lexuar votën e qytetarit është legjitime dhe nuk duhet të shkelet.
Duhet thënë se flitet për numërimin e atyre votave të vlefshme, të cilat ishin hedhur gabimisht nga qytetarët në kutitë e gabuara, vota të cilat nuk ishin numëruar ende gjatë procesit të numërimit të votave në KZAZ-të përkatëse.
mit/NOA