English

Përpunoni shpejt rezultatet, BE: Aktorët politikë të vetëpërmbahen

Bruksel, 18 maj 2011, NOA – Kur tensioni politik në Tiranë është rritur ndjeshëm në pritje të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ, Bashkimi Europian i bëri thirrje partive politike dhe veëanërisht KQZ-së të vetëpërmbahen e të respektojnë ligjin.

Ishte Natasha Butler, zëdhënësja e Komisionerit Europian për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, e cila në një konferencë për shtyp deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve duhet të përpunohen sa më shpejt dhe të mos vonojë shpallja e tyre.

Butler në emër të BE-së inkurajoi të gjitha palët, institucionet shtetërore e kryesisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që të ruajnë atmosferën konstruktive që mbizotëroi gjatë ditës së zgjedhjeve edhe në këtë fazë të fundit të procesit elektoral”.

Sipas BE-së të gjitha hapat e mëtejshëm duhet të ndërmerren vetëm brenda institucioneve dhe duke respektuar ligjet.

Sa i përket opinionit të KE-së për statusin e Shqipërisë, zëdhënësja Butler tha se KE do të vlerësojë procesin zgjedhor të 8 majit në raportin e këtij viti, pasi sikundër ripërsëriti ajo, zgjedhjet e 8 majit dhe standardet e tyre janë një nga etapat kyçe të prioriteteve të përcaktuara në opinionin e vitit të shkuar.

“Mendoj se nëse ka ankesa nga aktorët politikë, ato duhen bërë pas përpunimit të rezultateve, gjë që duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, u përgjigj zëdhënësja e Komisionerit Fule.

Ajo bëri thirrje rishtas aktorëve politikë se është tejet e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të veprojnë me maturi.

Sipas Butler, përtej mbështetjes dhe ndihmës së BE-së janë vetë vendet që kanë aplikuar për statusin e vendit kandidat, që përcaktojnë me punën e tyre të ardhmen në BE.

mit/NOA

KOMENTE