English

Policia: Punonjës të Policisë Bashkiake po godasin forcat e rendit

Tiranë, 18 maj, NOA – Policia e Tiranës me anë të një deklaratë për mediat kërkon nga qytetarët e grumbulluar në sheshin para KQZ-së që të distancohen nga aktet e dhunës. Në deklaratën e dhënë për mediat, theksohet se është identifikuar grupi që ushtron dhunë ndaj forcave të rendit, të cilët sipas Policisë së Tiranës, janë punonjës të Policisë Bashkiake.

“Pas grumbullimit para ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një grup personash, po ushtrojnë dhunë ndaj strukturave të policisë, të planizuar me shërbim për të garantuar sigurinë publike, duke plagosur disa prej tyre. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur identifikimin e këtij grupi personash, pjesa më e madhe e të cilëve ka rezultuar të jenë punonjës të Policisë Bashkiake”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Gjithashtu Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë në zbatim të Ligjit “Për Policinë e Shtetit” sqaron se janë marrë masa për ruajtjen e objektit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sigurimin e rendit e të qetësisë.

“Policia e Shtetit fton pjesëmarrësit në këtë tubim të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë, të planizuara me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Në njoftim saktësohet se Policia e Shtetit është e angazhguar për të siguruar rendin dhe qetësinë për qytetarët dhe mbrojtjen e institucioneve dhe shtetit ligjor.

a.k/NOA

KOMENTE