English

Rinis mbledhja e KQZ, debate Ristani-Subashi për numërimin e fletëve të kontestuara

Tiranë, 18 maj 2011, NOA – Pas ndërprerjes për pak minuta pushim të mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryetari i KQZ-së Arben Ristani ka rinisur mbledhjen duke nisur hapjen e kutive për numërimin e fletëve të votimit të kontestuara, pa marrë konsensusin e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në KQZ.

Gjatë pushimit në vendin ku do të numërohen fletët e votimit u vendos një shirit ndalimi, në mënyrë që përfaqësuesit e PS-së të mos ndërhyjnë gjatë numërimit të votave të vlefshme, të adresuara për kryetarin e bashkisë së Tiranës, por të hedhura në kutitë e gabuara.

Pas miratimit të akt-vendimit për numërimin e këtyre fletëve, tashmë nisi edhe verifikimi e më pas numërimi i fletëve të kontestuara nga PS.

Mbledhja nisi rishtas nën akuzat e PS-së se numërimi i këtyre fletëve është tërësisht i paligjshëm.

Por, kryekomisioneri Arben Ristani deklaroi se nuk mundet që vota e qytetarëve shqiptarë të mos lexohet.

Ndësa nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi rishtas e kundërshtoi këtë veprim, duke theksuar se këto fletë votimi që po numërohen nuk janë të kontestuara, pasi në asnjërën prej tyre nuk ka një shënim nga komisionerët e KZAZ-së se janë të kontestuara.

Sipas saj ato po vlerësohen për t’u lexuar në mënyrë të jashtëligjshme.

mit/NOA

KOMENTE