Tiranë, 18 maj 2011, NOA – Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon mbledhjen në një situatë të pazakontë, kur deputetët socialistë janë mbledhur bashkë me qindra simpatizantë të tyre në oborrin e institucionit kushtetues, deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj deklaroi se sot u instalua diktatura e Sali Berishës.
“Ne provuam me të gjitha mënyrat ta pengonim Sali Berishën, qeverinë që me këtë mbledhje kërkon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve”, theksoi Xhafaj.
Ai i bëri thirrje popullit të dalë në mbrojtje të votës së 8 majit, duke i dhënë fund kështu diktaturës fashiste të Sali Berishës.
“Fati i votës është në duart e popullit. Ne i kërkojmë popullit të mbrojë votën dhe të rrëzojmë këtë diktaturë fashiste”, apeloi deputeti socialist Fatmir Xhafaj.
Ndërkohë, deputetët socialistë janë të palëkundur në vendimin e tyre për të mos pranuar numërimin e votave të kontestuara, përkatësisht për numërimin e votave të vlefshme për kryetarin e bashkisë së Tiranës të hedhura në kutitë e gabuara.
mit/NOA