Prej tre ditësh me radhë kryetari i Partisë Socialiste dhe leitnantët e tij, me një fjalor nga më të papranueshmit, me një agresion verbal të paparë, me akte brutale të organizuar me kërcënime të gjithanshme kërkojnë te ndalojnë zemrekun e sistemit elektoral
Nga Sali Berisha
Vendi, kombi kaloi një proces zgjedhor ndër më dinjitozët në tërë historinë e tij, një proces zgjedhor, në të cilin në prani të mijëra e mijëra vëzhguesve vendas dhe te huaj, qytetarët shqiptarë votuan, jo me votë në lule të ballit, por votuan me votën e zemrës për atë që deshën, për platformën që besuan, për kandidatin më të mirë, për parlamentin më të mirë, për partinë që preferuan. Këto vota u vlerësuan, u numëruan me një sistem më transparentin që ekziston deri sot mbi dhe.
Këto vota u numëruan para të gjithë shqiptarëve, madje pati kuti, të cilat u numëruan në tërësi nga mediat kombëtare te vendit dhe u ndoqën nga mbarë shqiptarët. Në rast se votat, numërimi, procesi në të gjithë vendin nuk shënoi as edhe konfliktualitetin me te vogël, por me kundershtira më të natyrshmet, me te ligjshme, më të paktat, në Tiranë ndodh e kundërta.
Në datën 14 maj të 11 minibashkitë e Tiranës përfunduan numërimin e votave, duke dhëne një rezultat, i cili në momentin më të fundit, madje dhe pas mbylljes së numërimit, nxori kandidatin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e saj me 10 vota para. Kjo ndodhi dhe qenë me dhjetëra socialist që uruan demokratët për fitoren, sikundër fitorja pas 10 minutash u rikthye dhe deri tani ndryshimi i shifrave në KQZ ka qenë i bazuar dhe jo i manipuluar dhe nuk kemi asnjë fakt që të faktojë me gjithë të dhënat që ne disponojmë se aty është bërë një manipulim, për rrjedhojë ndonëse ligji shqiptar i zgjedhjeve, nuk parashikon, nuk ka autorizuar KQZ të shpallë rezultat paraprak apo të përkohshëm por “de fakto” teknologjia e shkëlqyer e numërimit të votave në Shqipëri e jep këtë, me mbylljen e numërimit në qendrën e fundit të votimit.
Ky rezultat nuk është vënë në diskutim, as edhe nje here te vetme nga askush. Ky rezultat është shpallur nga kryetari i KQZ në daljet e tij publike si nje rezultat paraprak, por që nuk mund të shpallet rezultat zyrtar paraprak, pasi ligji nuk ia ka dhënë këtë autoritet Komisionit Qendror Zgjedhor. Ligji shqiptar autorizon KQZ të shpallë vetëm rezultat p[përfundimtar dhe ta shpallë atë pas përfundimit të sistemit të ankesave. Atë ligj e kanë hartuar dy forca politike së bashku, në konsensus të plotë dhe total, Partia Demokratike e Shqipërisë, Partia Socialiste e Shqipërisë me grupet e tyre respektive te eksperteve. Por pavarësisht nga kjo është theksuar edhe dje më së fundi ne mbledhjen e Këshillit të Ministrave edhe nga unë se de fakto, ky është rezultati paraprak. Çfarë po ndodh? Në krahun tjeter, po me datën 14 maj, kryetari i PS Edi Rama deklaroi veten fitimtar dhe ne ligjëratën e tij të gjatë nuk përmendi qoftë edhe një here te vetme rezultatin përfundimtar, nuk u shpreh qoftë edhe një here te vetme se “unë jam fitimtar por do të pres rezultatin përfundimtar”. Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” u shpreh qartë se ai do të qëndrojë për numërimin e çdo vote, do të qëndrojë për dëgjimin e zërit të çdo qytetari dhe ne rast se pas kësaj zoti Rama do të dilte fitues, ai do ta uronte atë publikisht. Kjo ishte situata.
Unë, të dashur qytetarë, dua tu shtroj ju një pyetje, ndonëse ju nuk jeni politikanë profesionistë, por “part time” jeni politikanë dhe në kohë fushate e zgjedhjesh jeni politikanë me kohë të plotë, a do të pranonte te shpallte veten fitimtar me nje rezultat prej 10 votash me kundërshtarin ndërkohe që në të gjitha procesverbalet e firmosura nga të gjithë komisioneret e PD dhe te PS dhe forcave te tjera kishte ne zarfet e kutive te votimit se paku 300 vota te kontestuara, dhe fatkeqësisht mundësisht të interpretuara si në rastet kur komisionet zonale kryesoheshin nga socialistët, por të jem i sinqertë dhe rastet kur komisionet zonale kryesoheshin nga demokratët. Kjo, jo në tërësi, por ne raste te veçante ndodhej. Pra 300 vota që në ligjin shqiptar aktual janë obligim absolute ligjor për tu rivlerësuar. A nuk mund të ndryshonin ato, disa here me 10, rezultatin e këtij numërimi, ta bëjnë këtë rezultat me plus 100 apo minus 100 sepse ato janë 300 dhe dhjeta tek 300 shkon 30 herë. Pra a mundet kush që i beson votës së lirë, vlerave te saj, që ka respektin më të madh për qytetarët e këtij vendi, që të thotë se fitova ndërkohë që janë dhe 300 vota të tjera të këtyre qytetarëve që ndodhen ne zarfa për tu rivlerësuar?
Zoti Rama në mënyrë të përsëritur dhe me fjalën e tij ultimative të djeshme dhe me ultimatumin e datës 14, shpalli veten fitimtar të padiskutueshëm. Por përveç këtij fenomeni, krahas këtij fenomeni ndodhi që me hapjen e kutive të tjera, të këshillit bashkiak, të kryetarit të minibashkisë rezultoi se një numër i caktuar votash për kandidatin për kryetar bashkie, pra për vetë, zotin Rama, për vetë zotin Basha ishin hedhur gabimisht nga qytetaret shqiptarë, të cilët për një arsye apo për një tjetër, për defektin e tyre dhe theksoj këtu se 8 % e burrave dhe 0.5 % e grave kanë problem serioze me dallimin e ngjyrave, apo të rinj, vajza dhe djem, të cilët votonin për herë të parë, të mbushur me emocionet e ditës, në të cilën ata shprehin sovranitetin e tyre, apo njerëz të moshuar, të cilët për një arsye apo për një tjetër edhe mund të mos kenë në atë moment përqendrimin e duhur u adresuan në një kuti tjetër, duke mos harruar se detyra e komisionit të qendrës së votimit është ti adresojë ata në kutinë e duhur, këtë ngarkon ligji, ligji është shumë i mirë, vërtetë ka vendosur katër kuti për lehtësinë e administrimit të votave, por nga ana tjetër ligji ka urdhëruar komisionin e qendrës së votimit për të marrë të gjitha masat që të adresoje qytetarët në kutinë e duhur.
Këta qytetarë, burra e gra, të rinj e të reja që mbase janë votues për herë të parë, këta nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër u paraqitën në qendrën e votimit, qëndruan mbase në disa qendra edhe orë të tëra për të votuar. Votën e tyre e hodhën në një kuti, në të njëjtën qendër, në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, në të njëjtën minutë, nga e njëjta dhomë e fshehtë, atëherë komisionerë të përgjegjshëm të të dy palëve hapën kutitë dhe ndeshën në këto vota. Këto vota i morën, i trajtuan, i administruan si vota të panumëruara, por ato s’mund ti grisnin s’mund ti flaknin se aty ishte shprehur me qartësi si rrezja e diellit intensioni i zgjedhësit, për zgjedhësin e tij. Këta komisionerë këto vota i administruan, i futën nëpër zarfe dhe ju adresuan komisionit zonal për Tiranën për ti shqyrtuar ato.
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Ajo që ju keni parë që nga dita e pardjeshme pasdite e deri më sot, në sallën e KQZ ai është komisioni zonal i Tiranës, i cili funksionon, me të gjitha rregullat e komisionit zonal të Durrësit, të Vlorës, të Shkodrës, dhe pa asnjë dallim ligji elektoral i miratuar me konsensus të plotë midis PS dhe PD ka hequr komisionin zonal të veçantë për Tiranën, të cilin për hir të së vërtetës më mirë se çdokush në Shqipëri e njeh zoti Rama se ai në këtë komision ka qenë dhe tre herë të tjera.
Pra, këtë atribut, ligji elektoral ia dha KQZ dhe ky komision po përmbush detyrimin etij ligjor si komision zonal. Dhe çfarë ndodhi, përpjekje nga më të paimagjinueshmet për të bllokuar komisionin zonal të Tiranës. Dy ditë më parë vërshuan me gjuhën e fjalëve më të papranueshme, 36 deputetë të PS për ta bllokuar atë me çdo kusht, agresuan kryetarin e komisionit me fjalë, me fyerje si dhe anëtarët e Partisë Demokratike. Bllokuan punën, pushtuan institucionet, parlamentarë që pushtojnë institucionet të ngritura bashkërisht me ligj.
Por, përse të dashur qytetarë dhe qytetare, zoti Edi Rama do me çdo kusht të bllokonte funksionimin e komisionit zonal për Tiranën? Për arsyen e vetme se ky komision ka tagrin për të nxjerrë tabelën përfundimtare të Tiranës dhe se ka tagrin të numërojë çdo votë, të përfshijë çdo votë, para se ky të bëjë shqyrtimin si KQZ. Kjo është e vërteta, pra u bë një përpjekje për të asgjësuar institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve për Tiranën, institucionin e komisionit zonal të Tiranës.
Dje ju jeni dëshmitarë të sulmeve primitive, agresive të njerëzve me imunitet ndaj njerëzve me uniformë të këtij shteti, të kacavjerrjeve primitive të tyre, ndaj atyre që po mbronin institucionin ku këto ditë rreh zemra e lirisë së kombit, KQZ-në. Çfarë po ndodh? Në përputhje me te gjitha shënimet e bëra nga komisioneret e te gjitha forcave politike, Komisioni zonal i Tiranës po numëron vota të panumëruara deri më sot, po bën detyrën më themelore, nuk po anashkalon zërin e shprehur të qytetarëve shqiptarë me votën e tyre të lirë. Tani shfaqet qëndrimi tjetër, qëndrim ultimativ, të mos numërohet asnjë votë, të mos numërohet më tej asnjë votë se përndryshe... dhe pse kjo sepse vetëm e vetëm se dikush dhe ky dikush është zoti Rama ka vendosur të shpallet fitimtar me rezultatin paraprak. Votat po numërohen. Deri tani janë numëruar 66 dhe mund të jenë dhe shumë të tjera. Këto vota në ligjin shqiptar të zgjedhjeve janë vota të vlefshme. Nene të cilat përcaktojnë votën e vlefshme janë dhe nenet më të përpikta, më rigoroze të ligjeve zgjedhore të mbarë botës së lirë sepse janë ato, të cilat ndëshkojnë me ligj, por për arsye të forta ligjore të drejtën më themelore, demokratike, vota është e drejta më themelore demokratike e qytetarit.
Ndaj dhe kjo votë, të cilën ligji shqiptar e përjashton nga votat e pavlefshme, nuk mund të shpallet nga asnjë autoritet pa shkelur ligjin, si votë e pavlefshme. Kjo votë meriton administrim të plotë, sikundër kjo votë i nënshtrohet dhe mund ti nënshtrohet procesit të kundërshtimit.
Të dashur qytetare dhe qytetare,
Në ligjin tonë të mëparshëm elektoral, por edhe ne ligjin e sotëm të shume vendeve të botës, një rezultat i ngushte me 10 vota, por edhe me 100 apo 500 vota në prani të pese-gjashtë mijë apo katër mijë votave të pavlefshme të kryetarëve te bashkive e bën automatik rinumërimin e votave, atë që zoti Rama e kërkoi për dy vite rresht, por ky ligj nuk e lejon atë, ky ligj nuk e lejon rinumërimin e votave dhe nuk keni dëgjuar ndonjëherë të shqiptojmë fjalën rinumërim. Ky ligj bazohet në kontestin, në të drejtën e kundërshtimit, ku janë 300 vota, e bazon në detyrën themelore të numërimit të çdo vote, ku janë numëruar deri tani 60 për kandidatët, por janë dhe për këshillat dhe minibashkitë dhe ato tejkalojnë me siguri mbi 100.
Pra çfarë po ndodh. Ato 6 burra dhe ajo zonjë në komisionin zonal të Tiranës po numërojnë votat e panumëruara të qytetarëve të Tiranës, të cilët për shkak të vëmendjes dhe të përgjegjësisë, jo në lartësinë e duhur, të organizatorëve në qendrën e votimit, nuk u orientuan si duhet për të hedhur votën në kutinë e duhur, por e hodhën në një kuti tjetër, pra kjo është ajo çfarë ata po bëjnë në komisionin zonal të Tiranës.
Por në rast se zoti Rama apo dikush afër tij nuk ka pranuar të njohë dhe bëri gjithçka për të penguar këtë komision zonal siç e keni vënë re ju, qëndrim tjetër ligjor kanë mbajtur përfaqësuesit e partisë socialiste, të cilët kanë vetëdijen e plotë njerëzore dhe profesionale, se ai është një komision zonal dhe po funksionon si një komision zonal dhe po bën ato detyra që ka bërë dhe komisioni i Durrësit, i Korçës, i Shkodrës e të tjerë me radhe dhe se po në këtë proces, ata para jush, para mediave, kanë kundërshtuar shume e shumë vota për zotin Basha dhe nuk kanë kundërshtuar me sa kam dijeni, as edhe një votë të vetme për zotin Rama dhe unë nuk kam asnjë vërejtje për ta, kanë ushtruar të drejtën e kontestit, që në ligjin elektoral shqiptar ia u kemi njohur të gjithë numëruesve në qendrat e votimit dhe anëtarëve të KZAZ ne komisionet zonale.
Këto vota do të shqyrtohen ne KQZ si vota të kontestuara, kontestatori ka të drejtën ti çojë dhe në gjykatën e apelit. Ky është procesi ligjor, më transparent, më i konsoliduar që ekziston.
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Në datën 29 mars, një proces, një marrëveshje midis PS dhe PS dështoi vetëm për një pikë. Ne hartuam një projekt marrëveshje të bazuar ne rekomandimin e parë të ODIHR një rekomandim që iu adresohet kryekëput partive politike, mbi qëndrimet e tyre ndaj procesit zgjedhor. Marrëveshja u prish vetëm për një arsye e zoti Rama kërkoi që në këtë marrëveshje të përfshihej një nen, që në këto zgjedhje të njihej e drejta e hapjes së çdo kutie. Nuk e refuzuam por i kërkuam që për këtë të merrte opinion eOSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias dhe në rast se ata do të ishin dakord, ne do të ishim 100 % dakord. Por kjo na u kërkua ne në mënyrë të prerë, pavarësisht nga mendimi i Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR.
Në gjashtë javë një qëndrim diametralisht të kundërt. Qëndrimi i mëparshëm i zotit Rama ishte ne përputhje me qëndrimin e tij dy vjeçar, “hap kutitë të rinumëroj votën” qëndrimi i këtyre ditëve është “mbyll kutitë të mos numëroj votën” në qoftë se qëndrimi i mëparshëm u kristalizua pas vendimit të një gjykate, i cili do të mbizotëronte mbi çdo vendim tjetër, qëndrimi dytë “mbyll kutitë dhe mos numëro votën, ose “mos hap kutitë dhe fshih votën” u kristalizua në një hark kohor në 6 javë dhe u bë kjo moto e këtyre akteve vandale të rënda, të cilat kërkojnë me çdo kusht të nxijnë votën e qytetarëve.
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Në të gjithë këto qëndrime, në mënyrë absolute ka një dhe vetëm një qëllim, të mbrohet vota juaj, të vlerësohet vota juaj. Do të ishte absurde për të gjithë ata që mendojnë se këtu qëllimi kryesor do të ishte fitorja e Tiranës. Kemi bërë fushatën më të bukur për Tiranën, kemi marrë vlerësimin më të madh nga qytetaret e Tiranës, por nga ana tjetër kemi përgatitjen e plotë të pranojmë me përulje, me nderim, me respekt, verdiktin e tyre, cilido që të jetë ai.
Në një garë ku ndahesh me 10 vota, mund ta humbasësh, mund ta fitosh për shumë pak vota dhe nuk ke asgjë tjetër veçse të shprehësh një mirënjohje të madhe për të gjithë ata që të mbështetën. Kemi fituar 7 nga 11 minibashkitë. Nuk them, nuk di se cili do të jetë rezultati për bashkinë e madhe. Ai rezultat që do të dalë nga procesi më transparent dhe më ligjor, procesi i shtetit ligjor dhe me themelor, ai rezultat do të pranohet pa asnjë koment nga kjo shumicë.
Tani më duhet të theksoj disa problem të tjera, çështje të tjera. Prej tre ditësh me radhë kryetari i Partisë Socialiste dhe leitnantët e tij, me një fjalor nga më të papranueshmit, me një agresion verbal të paparë, me akte brutale të organizuar me kërcënime të gjithanshme kërkojnë te ndalojnë zemrekun e sistemit elektoral. Diku u vërsulën si primitivë mbi kokat e policëve, njerëz me imunitet, të tjerë djegin goma rrugëve, duke mbushur me blozë qytetin e tyre, të tjerë bllokojnë urgjenca, duke iu përgjigjur thirrjes së kryetarit të tyre, lejtnanit te tij kryesor, Gramoz Ruci apo të ndonjë tjetri, kërcënojnë fizikisht kryetarin e KQZ, anëtarët e komisionit, bëjnë plane për të sulmuar godinën e KQZ dhe djegur materialet e votimit.
Unë jam sot para jush për tu garantuar ju të dashur qytetare dhe qytetare që keni votuar për këtë maxhorancë dhe kundër kësaj maxhorance se qëndrimi i saj është një dhe vetëm një, ligji dhe vetëm ligji. Shteti ligjor dhe vetëm shteti ligjor. Në këtë vend PS ka organizuar 1733 protesta, nga të cilat 1730 të padhunshme dhe tre prej tyre me dhunë të shkallëve të ndryshme. Unë i garantoj qytetarët se e drejta për protestë do të garantohet tërësisht dhe plotësisht. Protesta paqësore do të garantohet plotësisht dhe tërësisht, por garantoj se dhuna, e cilësdo natyre do të ndeshet me të gjithë rreptësinë e ligjit. Paralajmëroj këtu zotin Rama dhe ata të cilët për interesa të caktuara e nxisin dhe planifikojnë të sulmojnë dhe pushtojnë KQZ, i kujtoj se ai ligj, i njëjti nen që garanton liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, garanton me të njëjtën siguri, institucionet e këtij vendi.
Ftoj qytetarët shqiptarë të çdo natyre, kategorie të mos ndërmarrin veprime të verbra kundër institucioneve se në mënyrë absolute gjëja më e fundit që mund të realizojnë të marrën mandatën mbi shkrumbin e fletëve të votimit.
Nga ana tjetër jam këtu për ti thënë se nuk ka akt paburrërie më të madhe se të rrethosh 7 burra dhe një zonjë dhe disa punonjës të tjerë aty, të cilët po bëjnë punën në përputhje me ligjin. U them atyre se qeveria dhe shteti është fuqishëm prapa tyre. I them zotit Rama të heqë dorë nga çdo mendim se mund ti agresojë ata. Ata janë shërbëtorë të shtetit. Shteti i tërë është dhe do të jetë në mbrojtje totale të detyrës që ata bëjnë. Ka një proces ligjor, ka një proces zgjedhor, të cilin e kemi pranuar dhe votuar bashkërisht. Le ta ndjekim, le ti lëmë mënjanë ultimatumet, institucionet e këtij vendi kanë të gjithë fibrën, potencialin për të përmbushur detyrimet e tyre, por nga ana tjetër me që të pëlqen të flasësh për popull mos harro se në Shqipëri nuk ka vetëm socialistë, por ka dhe të tjerë, të cilët në një votim më masiv se kurrë, në 15 vitet e fundit votuan maxhorancën e tyre, prej rreth 800 e ca mijë. Ju pëlqen të flisni për tribalë. Kjo është psikologjia juaj primitive ti ndani shqiptarët në tribalë dhe qytetarë, por edhe ne ketë klasifikim primitiv që keni, kjo maxhorancë në bashkitë e këtij vendi ka 880 mijë vota, për kryetarët bashkish dhe këshillash bashkiake dhe minibashkisë në Tiranë, ka 43 mijë vota më shumë se aleanca tjetër dhe që fillojnë nga zemra e kryeqytetit, qendra e Tiranës dhe shpërndahen në të katër anët e vendit, por kjo nuk duhet të përbëjë asnjë motiv tjetër, përveçse një respekti të prerë dhe të qartë. Në qoftë se ndokush mendon se do të mund të nëpërkëmbë maxhorancën apo dhe përtej nëpërkëmbjes bën një gabim fatal. Ky vend ka të gjitha ligjet, të gjithë potencialin për të zbatuar ligjet, ndaj dhe e ftoj të heqë dorë nga kjo ndarje e popullit opozitar. Populli votoi, votoi si shqiptar, e tha fjalën e tij. Nuk na mbetet gjë tjetër vecse të respektojmë çdo votë të këtij populli, të përulemi para çdo vote te tij, ndaj uroj dhe dëshiroj që të lexohet siç duhet vota, si dhe ftoj qytetarët që në respekt të plotë të votës së tyre, çdo njeri pavarësisht nga statusi i tij të respektojë ligjin, të mos pranojë të përdoret, të mos pranojë të keqpërdoret, të mos pranojë të vihet në funksion dhe në shërbim të përpjekjeve për të marrë mandate dhe shpallur kryetar bashkie, duke mbyllur kutitë, duke djegur votat dhe duke agresuar dhe bllokuar institucionet e ligjshme. Të gjitha këto janë akte që vetëm turpërojnë, jo vetëm ata që i kryejnë, pore një vend të tërë.
Një vizitë shumë e rëndësishme u shty dhe unë dua ti informoj shqiptarët që në opinion e kërkuar ndaj meje për shkak të kësaj situate nuk isha ai, që duhej të këshilloja realizimin e saj, se tjetër janë problemet këtu dhe tjetër ishte mesazhi i madh që vinte nga Evropa dhe të vinin këtu, në një moment kur kërkohet që të mos numërohet vota, kur kërkohet të paralizohet institucioni themelor aktual i shtetit. Nuk më duket se ishte ky momenti evropian, për një lider kryesor të Evropës, që tu sillte shqiptarëve mesazhet më miqësore. Sigurisht vendimi nuk është marrë nga mendimi im, pasi Komisioni Evropian i merr vendimet nga gjykimi i tij, por dua të rrëfej të vërtetën se nuk isha në gjendje të shprehesha se ishte kjo, koha, që kjo vizitë të realizohej.