Tiranë, 19 maj 2011, NOA – Ndërkohë që disa qindra militantë të Partisë Socialiste janë tubuar prej disa orësh pranë godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Policia e Tiranës informon se ka marrë të gjitha masat për të ruajtur institucionin kushtetues ku prej disa ditësh është përqendruar vëmendja e tërë shqiptarëve, në pritje të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit.
Policia e Tiranës i bën apel të gjithë protestuesve të distancohen nga aktet e
dhunës dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë,
të cilët janë të planizuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Në këtë kontekst policia e kryeqytetit bën me dije se rreth orës 11.30, një grup personash të tubuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po ushtrojnë dhunë ndaj strukturave të policisë, ndërkohë që disa prej efektivëve janë lënduar dhe njëri prej tyre është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë, për të marrë ndihmën mjekësore.
Gjithashtu Policia e Tiranës nënvizon se rreth orës 11.00, 200 persona kanë bllokuar segmentin rrugor Rrogozhinë – Kavajë, në afërsi të Urës së Drazhit.
Njëherësh mësohet se shërbimet e komisariatit të Policisë së Kavajës po marrin masat për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike.
Deri më tani në Kavajë nuk është shënuar asnjë incident.
mit/NOA