English

Arrestohen 6 persona, u jepnin patenta kandidatëve pa dhënë provim

Prizren, 19 maj 2011, NOA- Policia e Prizrenit ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për dhënie të patentave false, marrje ryshfeti, mashtrim dhe shpërdorim të detyrës.

Sipas policisë së këtij qyteti, bëhet e ditur se zyrtarët e disa auto-shkollave në Prizren, falsifikonin dokumente zyrtare të cilat shërbejnë për procedurën e pajisjes së kandidateve me patentë shofer.

Lidhur me dyshimet për dhënien në mënyrë të kundraligjshme, janë ndaluar personat që mbajnë identitete e mëposhtme:

Pjetër. B, Viti i lindjes 1963

Ruzhdi. TH. Viti i lindjes 1976

Muharrem .A. Viti i lindjes 1974

Ramadan P. Viti i lindjes 1962

Idriz G. Viti i lindjes 1962

Jetmir B. Viti i lindjes 1982

Blutë e Prizrenit deklarojnë se, të arrestuarit dyshohet se në bashkëveprim me njëri tjetrin, merrnin para të gatshme në shuma të ndryshme deri ne 850 euro për një kandidat, për ti kaluar në testet me shkrim dhë në provat për patentë, pa respektuar procedurat.

Theksohet se të dyshuarit në bashkëpunim me persona zyrtarë, gjatë fazës së testimit të kandidateve kanë futur persona të tjerë me identitete të rreme duke përdorur dokumentet identifikuese të kandidatëve me qëllim që ti kalojnë kandidatët pa qenë fare prezent në testime, në këmbim të shumave të parave, sipas kategorisë.

Jo vetëm kaq por gjatë testimit, të ndaluarit i pajisnin kandidatët me telefona celular, dëgjuese në vesh, ku me ane të këtyre pajisjeve ja mundësonin dhënien e provimeve, ndër ta u është dhënë patentë edhe personave që nuk dinin as të shkruanin e lexonin.

a.y/NOA

KOMENTE