English

Braçe: Berisha po kërcënon dhe fyen shqiptarët

Tiranë, 19 maj 2011, NOA- Deputeti socialist Erion Braçe, nga selia rozë reagoi pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, duke thënë se ai gënjen shqiptarët, pasi u shpreh se KQZ funksionon si KZAZ, por tha ai, në asnjë nen të kodit, KQZ nuk legjitimohet si KZAZ për asnjë qytet.

“Ajo që KQZ po bën duke marrë atribute të paqena dhe të padhëna nga kodi i republikës, 4 anëtarë do të mbajnë përgjegjësi penale. Nuk ka nen në Kodin Zgjedhor që i konsideron fletët e kontestuara të vlefshme. Pasi te vlerësimi i votave thuhet, se vlerësimi i votave bëhet pasi verifikohet nëse fleta ka të njëjtën madhësi formë dhe ngjyrë, në rast të kundërt e cilëson votën të pavlefshme”, deklaroi Braçe.

Sipas tij, ajo që po bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor është vepër penale dhe për këtë vepër kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani dhe anëtarët Klemet Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj anëtarë të KQZ-së janë kallëzuar penalisht dhe do të mbajnë përgjegjësi penale.

Ndërkaq Braçe tha se, kryeministri gënjen, pasi KQZ autorizohet vetëm të bëjë shumatoren mbi vendimet e dala nga KZAZ-të e dala nga njësitë e Tiranës.

Më tej ai shtoi se, ato vota që Sali Berisha thotë se po numërohen, janë numëruar dhe cilësuar si të pavlefshme dhe nga çdo KZAZ respektive.

Braçe theksoi se Berisha po kërcënon qytetarët, dhe deputetët e Partisë Socialiste, duke shtuar se prej një jete socialistët po i vuajnë në kurriz.

Sakaq deputeti socialist shtoi se kreu i qeverisë po fyen shqiptarët duke u thënë se nuk njohin ngjyrat.

a.y/NOA

KOMENTE