English

Dhjetë nota për dhjetë vota kundër një kurthi elektoral

Nga Dardan Braun

Larg recitalit që Michael J. performoi pasi shkoi, emërtuar “This is it” “Kjo është a Ky na qenkësh”, ky titull mu kujtua, teksa, ne kulmin e fushatës, më kuriozuan ca gjëra që flisnin për një kontratë lobimi “për interesa të republikës”. Jo për ndonjë parti që rastësisht mund të ketë kapur pushtetin, por për dheun tim, ku kam njohur mëmë e atë, ku më shijon dhe buka thatë. Lobingu, kjo formë e legalizuar për të të ofruar, ndershmërisht dhe tejdukshmërisht, ndihmë për interesa të kombit, më bëri të mendoj se tash e tutje, Republika e Shqipërise nuk do të kish më nevojë për fantazmën Shën Naum, në këmbim të një froni; për të shitur det dhe blerë kos grek; për të bërë bedel një firmë Behtel; as edhe për të vrarë, nga një pushtet që kërkon të bëjë shtet. Shtet jo dosido, por NATO a OTAN me karburant aq e kaq oktan. Naftë virgjëreshë, nga Ballshi mbretëreshë, në Evropë lypsare, m’Tironë katunare. Jo për ndotjen, pasi të njëjtën naftë shqiptarët kanë mbi 50 vjet që shijojnë, por ku dreqin e doli një ligj që e nxjerr nga dera, dhe zonja virgjine na futet nga “pixherja”, njëlloj si ato votat e “gjetura” nëpër kuti minibashkish. Dritarja pa xhama, me kornizë ligjore, evazionin fiskal, sapunin për djathë prore. Evazion fiskal, evazion elektoral, deficit këtu, suficit atje, thjesht, merrja Lenës dhe jepja Prenës. Destinacioni: Tirana blu.

Ulem me këmbë në tokë. Një kompani e huaj, jo një ekspert sondazhesh, qoftë ky edhe “më i miri në botë”, përfaqësokërka tashmë Qeverinë Shqiptare, sigurisht pa dallim ngjyre, të rrisë peshën e kësaj të fundit në marrëdhënie me të tretët. Me të tretët, pasi me Uashingtonin jemi akoma në muaj mjalti, pa dallim ngjyre kësaj ane. Bravo! Por edhe kujdes: unë besoj se e gjitha kjo bëhet jo për të blerë heshtje për pushkët banale apo klithmat për ëndrrat elektorale, por për t’ju gjendur Kosovës më pranë dhe më fuqishëm në planin ndërkombëtar; për të reciprokuar me fqinjët tanë në planin tokësor dhe ujor; për të mos klithur “hop” ende pa hedhur hendekun mes ëndrrës afër atomike dhe zhgjëndrrës larg me vite drite; larg dhe rrënqethshëm zanatllëkut dhe përgjegjshmërisë që nuk i mjaftuan as Japonisë për të mos patur Fukushima, e jo më Shqipërisë, që i del-e-tepron Zadrima: vuuu, shejtani shkund brekët kur plas vetëtima. Njëlloj si votat e stisura nëpër kthina.

Lexova diku se një punonjës policie, ndonëse ish përgatitur për të vajtur për një trajnim jashtë vendit, e kishin zbritur nga avioni. Arsyeja kish qenë se ky na kish pas ndryshuar JO numrin e pasaportës me numrin e vizës, por veçse një germë të vetme të mbiemrit. Me vend! Në fakt, diçka kish parandjerë edhe ai vetë, pasi ish ngatërruar dikur në një ngjarje, për hir të punës, dhe e kish lëshuar pak dorën mbi një të ndaluar. Nuk se kish vrarë njeri, por gjithsesi e kish shkelur. Konkluzioni kish qenë se personi kish gënjyer dhe, “kush gënjen njëherë, gënjen përherë”. Kështu thonë ata të jashtmit. Ata të jashtmit që po na ruajnë votat janë shumë të kujdesshëm, dhe ne vetëm se duhet të mësojmë nga ta, i thashë vetes dhe tjetrit. Thank you Arvizu!

Zemra po më rrihte, por historia vazhdonte. Fill pasi qe kthyer nga një vizitë, i ftuar nga Departamenti i Shtetit, gjatë një takimi me Komisionin e Etikës në Kongres, miku im kish bërë një pyetje: cila kish qenë shkelja më e vogël që ai Komision kish hetuar ndonjëherë? Më e vogël, sepse sa për më të madhen, ajo akoma nuk kish ndodhur, ndonëse për këtë mjaftonte rasti James Trafickant apo edhe i atij heroit të luftës së Vietnamit, personazhit të “top gun-it”, dora vetë Djuk Haninghanit. Anëtari i Komisionit ish përgjigjur: “porositja e disa picave, përmes dikujt tjetër, një vartës ky aty në stafin elektoral”. Me një fjalë, përdorimi i tjetrit për qëllime personale, hamendësova unë atypëraty, duke shpresuar se diç kisha zbuluar.

Ia shpreha këtë edhe mikut tim, bashkë me adhurimin për këtë soj zyrtarësh. Gati-gati po e mendoja të tillë edhe mikun tim, kur këtij, teksa po më tregonte këtë histori, atypari ia dha truri dhe, në mënyrë urdhërore, porositi sekretaren e tij të zyrës: “Më sill me shpejtësinë e erës një kafe, sepse kemi shumë punë”. Sa shumë reflektojmë ne shqiptarët, thashë unë: e po, ku kafeja e ku pica!

Me dorën e pazënë më dha një gazetë të huaj. Brenda saj ishte edhe një intervistë e tij, kur kish qenë atje, jashtë atdheut. Kishte shprehur mbresëlënien e thellë për “përulësinë e zyrtarëve dhe shtetarëve amerikanë, nga e cila duhet të mësojmë shumë ne dhe shtetarët tanë”. Nuk e di se ç’mund të ketë menduar ajo gazetarja me origjinë kubaneze, ndërdyshej miku: ky ose është budalla, ose shejtan budalla, “son-of-the-bitch”, siç i thonë ata. Hajt e merre vesh se ç’munt të kem qenë, ç’munt të jem dhe ç’munt të bënem unë? Po Shqipëria, ia ktheva dhe unë si frashërllinjtë, ç’munt të jetë e ç’munt të bëhetë? Aleanca kuq-e-zi tash ndihet maaa mirë, vazhdoi ai si rilindas, i sigurtë në shqisën e tij të gjashtë. Madje dhe Kolegjin Zgjedhor tash e kemi kuq e zi, dhe jo si qen dalmat me sfond blu e ndonjë njollë rozë. Dalmat apo qen stani që ndërsehet si Ristani, më tha miku nga Elbasani.

Bëra ta nxirrja nga përsiatjet nostalgjike dhe me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë, njëlloj si një fytyrë, i them: E gjeta, jam njish, jam i pari: tani Behtel ndërton, Podesta lobon, populli voton, Ristani numëron me vulat që dublon për listat që shumëfishon. Gjithçka e kopsitur. Tash e tutje do të kemi përgjigje për çdo pyetje, hajt jepi. Por nuk e di se si dreqin, truri më ngeli skiç, pasi për shumë e shumë pyetje që thuajse nuk kanë lidhje fare me njëra tjetrën, më dilte vetëm një përgjigje. Një dhe vetëm një. Mu si ajo rapsodia për fyell me një vrimë, të cilën e kisha dëgjuar nga një mësues fshati, në një film socrealist, ku një farë Dede trungrirë, këndonte majë shtyllës atë këngën “alo alo ambulanca, qytetari është sëmurë”. Cili është doktori? “Po ta dija, po ta dija, nuk do të votoja kurrë”, vazhdonte mësuesi i filmit, tanimë komisioner a numërues gomë rezervë, dhe pyeste: Cili ndër të tërë, përflitet padrejtësisht, si ndihmës me vlerë, për akuza me erë, në Raportin e lig të Mr. Marty Dick? Cili ish ai që prishi Zogun e Zi? Po ai zog nga foleja-kop, që kurrë nuk u ngop, me det e me tokë? Po tunelin Kalimash, kush e hodhi me not pash? Po shelfin kontinental me fqinjin jugor, të cilit iu tha ndal, Gjykata vuri dorë? Kush na i dha vizat në dorë, kush na i hoqi ato si me dorë? Kush kufinjtë na i siguroi, dhe n’Evropë na integroi? Po në NATO, kush na futi, po me 21, kush na e futi? Kujt i thonin kot “hajdut”, kush na u rrit si kallami në m…? Megjithatë, thank you Arvizu!

Aman or ti, po si ka mundësi që vetëm një emër dilte? Bash ai, të cilit i ngatërrojnë fytyrën. Po sikur të pajtoj dhe unë Podestën apo Behtelin, njërën për të lustruar, tjetrën për të ndërtuar. Shqiptari është dembel, prandaj dhe fut bedel, për t’kry punën qi i ka ngel. Po si e quajnë mor burrë? Puzzle: hedh për peshk, zë lule; gjuaj për zogj, qëlloj në lule; ngjitem në pemë, vjel lule; shkoj për ferra, ngec në lule. A thua të ketë ardhur pranvera? Kjo është e vetmja dallëndyshe katërstinëshe? Njëlloj si ajo pica korruptuese e atij kongresmenit atje. Ore, me sa gola plus e filloi ndeshjen ky? Me gola kalçetosh, karburant inatin, i shkreti lider synon kampionatin.

Shikimin e hodha “mu aty te shtatë zymbylat”, poshtë një trëndafilishteje, mbjellë-a-mbirë qysh nga koha e diktaturës, ku një rapsod thatim i binte çiftelisë para një kamere. E dha edhe televizori, e kujtoni besoj, se ishte pa trukime, jo si ajo kaseta që po ngel jetime. Mendjen e kish ndarë dhe me “guxim intelektuali”, votën do e jepte majtas, këngës po ia thoshte djathtas, veza në miell, kakarisja në qiell. Ishte në qejf sepse tani në xhep kishte pasaportë kryeqyteti. Ç’po bënte më shumë se të pavarurit mendimndryshe? Vetëm se: Në mundsh! Lexoje dhe kuptoje pak atë mesazh të Poes! Ti që kurrë s’do të mundesh të bëhesh lider, me vota që derë më derë i vjedh.

Alamet djali, bukur flet, mendon se je fiks për këtë milet, fjalët si lule, mendjen ta mbush, në dorë të ngelet veç karabush, i them rapsodit tim thatim, jo më pak se Michael J. “This is it!” Ej ti, historia të mori, mos të të marrë edhe folklori! Rapsodi vazhdonte, si motmoti i këndonte, një udhëheqësi të ri që i ngjante bash Atij: “Edhe Ai, sa ty ish/ moshën e Krishtit kish/ tridhjetë e tre ishte Ai/ erdhi nga jashtë e bëri Parti”. Tani po motërzonte me vargje të një poeti, kësaj radhe prej vërteti. Ja e hodhëm dhe të shtrenjtën votë, përmes së shkretës të ndryshojmë botë, sa për transparencën, ajo është e kotë. Ja përse dhe i vetmi trim në luftë u detyrua të fitojë për të katërtën herë. “E di, e di, e di”, më tha miku dhe shtoi: Megjithatë, thank you Arvizu!

Shënim: Hidhini një sy gërmave fillestare të çdo paragrafi dhe bashkojini. Dhjetë paragrafë, 10 gërma. Janë 10 nota për 10 vota. Rastësisht përkon me një nxënës me dhjeta, sidomos në lëndën e pasurisë dhe karrierës së ngjitur vetëtimthi.

KOMENTE