English

Edi Rama thirrje partnerëve: SHBA, BE, ndalni maskaradën e votës

Tiranë, 19 maj 2011, NOA – Ndërkohë që protesta popullore për mbrojtjen e votës vazhdon, lideri i opozitës Edi Rama i bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të SHBA-ve, BE-së, OSBE-së që të ndalin maskaradën që po ndodh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Rama i bëri apel për ndihmë partnerëve të Shqipërisë, për të lejuar hyrjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në një rrugë pa krye ku po i çon regjimi i vjedhjes së votës.

“Thërrasim përsëri sot partnerët tanë, SHBA, BE që të mos lënë vetëm Shqipërinë dhe shqiptarët në këto orë dramatike”, apeloi Rama.

Këtu kryetari i opozitës shprehu edhe keqardhjen për anullimin e vizitës së nesërme në Tiranë të Presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso, duke e cilësuar këtë anullim si një reagim kuptimplotë të KE-së ndaj regjimit në vend.

Kryetari i Partisë Socialiste akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po konsumon një krim tejet të rëndë kundër demokracisë.

Nga selia rozë ai e denoncoi veprimin e KQZ-së si një dhunë e patolerueshme e frymëzuar nga kryeministri Sali Berisha dhe një krim kundër stabilitetit të vendit.

Kryesocialisti Rama foli me një ton të fortë e të prerë kur theksoi se nuk do të ketë rezultat për bashkinë e Tiranës pa asgjësuar më parë opozitën shqiptare.

Këtu Rama bëri me dije se përmbysja e rezultatit në tavolinë nuk do të arrihet kurrë me maskaradën e sajuar me fletë të futura me dhunë në kutitë e votimit.

“Ne e kemi fituar Tiranën” deklaroi Rama, duke i bërë me dije kundërshtarit të tij politik Sali Berisha, se për të qëndruar në krye të qeverisë duhet t’i lëshojë rrugën kushtetutës.

Kryetari i opozitës ripërsëriti se opozita e udhëhequr nga Partia Socialiste nuk do të tërhiqet dhe nuk do të pushojë së kërkuari rrugëdaljen nga kjo krizë, në mbrojtje të votës së shqiptarëve.

Rama tha se zgjedhjet i panë miliona sy, andaj sipas tij opozita nuk do të tërhiqet nga rruga për të fituar të drejtën.

Lideri i selisë rozë paralajmëroi se në orët në vijim Partia Socialiste do të kallëzojë penalisht katër anëtarët e KQZ-së, të cilët ndërmorën shkeljen e kushtetutës dhe ligjit zgjedhor në vend, duke numëruar si të vlefshme fletët e futura me dhunë në kuti.

Shefi i PS-së tha se ajo do t’i kërkojë prokurorisë të nisë sa më parë hetimin e kësaj vepre antikombëtare dhe ndërprerjen e kësaj maskarade në sytë e shqiptarëve.

Ndërkohë, Rama i bëri thirrje edhe Presidentit të Republikës Bamir Topi të veprojë pa humbur kohë, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e të marrë në mbrojtje institucionin e votës.

mit/NOA

KOMENTE