Tiranë, 19 maj 2011, NOA- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhionasto gjatë ditës së sotme priti në një takim përfaqësues të vëzhguesve të OSBE-ODHIR të kryesuar nga Jonathan Stonestreet.
Ky takim erdhi në përfundim të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit,
ku Haxhinasto vlerësoi kontributin dhe rolin e tyre si të balancuar, realist, profesional dhe korrekt të shprehur dhe në dy raportet paraprake të publikuara.
Nga ana e tij, Stonestreet shprehu vlerësimet e mëtejshme për procesin zgjedhor dhe kryesisht për administrimin e votës do të paraqiten në një raport tjetër paraprak, dhe më pas në atë përfundimtar.
Në përfundim të takimit, ministri Haxhinasto zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët, duke ju përgjigjur interesit të tyre:
Z. Haxhinasto cila ka qenë tema e bisedës me Shefin e ODIHR-it?
Ky ishte takimi i fundit me z. Stonestreet, si drejtues i misionit afatgjatë vëzhgues të ODIHR-it. Unë e kam falenderuar për gjithçka që ky mision ka realizuar në Shqipëri, për gatishmërinë e tyre për të vëzhguar zgjedhjet vendore në Shqipëri, si dhe për raportet e ndërmjetme që kanë bërë deri tani, të cilat do të shoqërohen nga një i tretë së shpejti, dhe më pas do të jetë dhe raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zhvillimin e zgjedhjeve.
Z. Haxhinasto, besoj u fol dhe për rezultatin e Tiranës, çfarë u tha në këtë takim?
Duhet të keni parasysh se ky është një mision vëzhgues i ODIHR-it i cili shikon, monitoron, vëzhgon të gjithë procesin, fushatën zgjedhore, ditën e zgjedhjeve, administrimin zgjedhor, funksionimin e gjithë institucioneve që administrojnë zgjedhjet, sjelljen e partive politike, e të gjithë kandidatëve pa përjashtim. Sigurisht që kemi folur edhe për Tiranën. Ata gjykimin e tyre do ta japin nëpërmjet raporteve të ardhshme. Por parimisht kemi rënë dakord se edhe për Tiranën është e nevojshme që procesi të administrohet, duke u bazuar tek ligjet ekzistuese që ka Shqipëria, pra tek Kodi Zgjedhor që kemi aktualisht, dhe pastaj partitë politike mund të mbajnë qëndrime të caktuara. Për momentin duhet të respektojmë maksimalisht ligjin.
A u ngrit si shqetësim problematika për Tiranën nga z. Stonestreet, duke qenë se ende nuk kemi rezultat dhe po punohet ende në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. A ishte problem që u evidentua në këtë takim?
Unë mund të them që vlerësimi i z. Stonestreet dhe misionit që ai kryeson, do të jepet nëpërmjet raportit të ndërmjetëm dhe raportit përfundimtar, që do të publikohet në një kohë të përshtatshme, pasi të jenë marrë dhe vlerësuar aspektet e procesit zgjedhor në Shqipëri.
Z. Haxhinasto a ka një konfirmim për mbërritjen e z. Barroso të premten?
Jo, ende nuk ka një konfirmim të tillë
Nga zyra e BE-së është folur për një vizitë në Rajon në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri dhe në datën 20 maj është parashikuar vizita në Shqipëri.
Kjo ka të bëjë me zgjedhjet që bën z. Barroso dhe Komisioni Europian. E rëndësishme është që vizita e z. Barroso t’i shërbejë mbi të gjitha integrimit europian të Shqipërisë dhe sigurisht koha e përshtatshme do të jetë atëherë, kur energjitë politike të Shqipërisë të jenë të angazhuara totalisht për çështjet e integrimit europian.
Pra nuk kemi të konfirmuar një vizitë të z. Barroso?
Nuk kemi ende asnjë vizitë të konfirmuar.
a.y/NOA