English

KE konfirmon: Vizita e Barrosos anullohet prej tensionit postzgjedhor

Bruksel, 19 maj 2011, NOA – Tensioni politik në Shqipëri pas zgjedhjeve vendore të 8 majit është shkaku kyç i anullimit të vizitës së shumëpritur në Tiranë të Presidentit të Komisionit Europian Jose Manuel Barroso.

Lajmin për anullimin e vizitës së nesërme në kryeqytetin shqiptar e konfirmoi vetë Komisioni Europian, përmes zëdhënëses së tij, Sesilia Malmstrom.

Zëdhënësja e KE-së bëri me dije se zhvillimet postzgjedhore në Shqipëri nuk janë të favorshme, duke argumentuar se qëllimi i vizitës ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe përmbushja e 12 rekomandimeve të opinionit të KE-së nga Shqipëria.

Sipas saj arsyeja e anullimit të vizitës është pikërisht tensioni politik që lidhet me zgjedhjet vendore të 8 majit, që sipas BE-së do të ishin vendimtare në përshpejtimin e hapave të mëtejshëm të Shqipërisë drejt integrimit në BE.

KE i bëri thirrje palëve të lejojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të kryejë punën e tij, duke argumentuar se tensioni në vend është rritur për shkak të numërimit të votave.

Zëdhënësja e KE-së bëri me dije se Presidenti i KE-së Jose Manuel Barroso e ka shtyrë për më vonë vizitën në Tiranë, duke nënvizuar se ai do ta zhvillojë turin e tij të vizitave të parashikuara, në Serbi e Kosovë.

Anullimi i vizitës së Presidentit të KE-së u nënkuptua më herët edhe nga vetë kryediplomati Edmond Haxhinasto, i cili nënvizoi se nuk ishte konfirmuar ende vizita në Tiranë e Barrosos.

mit/NOA

KOMENTE