English

Konfiskohen produkte medicinale të prodhuara pa licencë

Prishtinë, 19 maj 2011 NOA - Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur kallëzim penal ndaj dy personave të dyshuar si të përfshirë në veprat penale, Tregti e ndaluar neni 246 dhe Prodhim i ndaluar neni 247 i Kodit penal të Kosovës.

Burimet zyrtare policore i thanë sot agjencisë NOA se hetuesit e krimeve ekonomike, sektori në Prishtinë pas pranimit të urdhëresës se lëshuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë së bashku me Agjencionin Kosovar për produkte medicinale kanë kontrolluar Laboratorin Farmaceutik “Galen” në Prishtinë dhe gjatë kontrollit kanë gjetur produkte medicinale të ndryshme të prodhuara nga ky laborator pa poseduar licencën për prodhimin e tyre .

Gjatë kontrollimit janë gjetur dhe konfiskuar gjithsej 3034 paketime, të 15 llojeve të ndryshme të produkteve medicinale të dyshuara se janë të prodhuara nga ky laborator pa licencë nga Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale, prandaj me urdhër të Prokurorit publik komunal të Prishtinës laboratori është mbyllur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të cilët kanë konfiskuar një sasi të produkteve të cilat paraqesin rrezik për ambientin.

a.b/NOA

KOMENTE