English

KQZ numëron 33 kuti: Basha udhëheq me 57 vota të kontestuara, Rama 20

Tiranë, 19 maj 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur deri më tani 33 kuti duke numëruar fletët e votimit të kontestuara, që flasin për 57 vota në favor të kandidatit demokrat të “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha dhe 20 vota të kontestuara në favor të kandidatit të majtë të “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama.

Kryetari i KQZ-së Arben Ristani ka vijuar hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara edhe pse përfaqësuesit e Partisë Socialiste në KQZ e cilësojnë këtë veprim si tërësisht të paligjshëm.

Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi e kontestoi hapjen e kutive dhe numërimin e votave, duke theksuar se po numërohen votat që s’janë pro Ramës.

Ajo i bëri thirrje kreut të KQZ-së të hapë të gjitha kutitë, dhe jo vetëm disa.

Sipas zonjës Subashi vendosja e këtyre votave në tabelat përmbyllëse të KZAZ-ve përkatëse dhe ndryshimi kësisoj i rezultatit e shndërron në nul procesin e numrit të votave në KZAZ-të e Tiranës.

Sipas numrave të deritanishëm kandidati demokrat për Tiranën Lulzim Basha ka marrë plot 57 vota përmes numërimit të fletëve të kontestuara në tavolinën e KQZ-së, ndërkohë që Edi Rama është në disavantazh deri në këto momente me vetëm 20 vota të fituara nga fletët e kontestuara.

Ndërkohë numërimi i votave vijon në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, kur vetëm pak metra jashtë selisë militantët socialistë të udhëhequr nga deputetët e Partisë Socialiste protestojnë për këtë ndryshim të rezultatit.

mit/NOA

KOMENTE