English

Maskarada jo fakt pa asgjësimin e opozitës

Përmbysja e rezultatit të atij numërimi në tavolinën e Komisionit Qendror të

Vjedhjeve, ku edhe vetë maskarada është e arnuar si mos më keq deri edhe me

fletë votimi të sajuara me ngut e të zhytura në kuti jo nga zgjedhësit po

nga vjedhësit nuk mund të kthehet në një fakt të kryer pa asgjësuar më parë

opozitën shqiptare....

Edi Rama

Shprehim keqardhje të madhe për anulimin e vizitës në Shqipëri të

Presidentit të Komisionit Europian Hose Manuel Barroso.

Ky është një sinjal aspak ogurmirë për Shqipërinë, por edhe një reagim

kuptimplotë i Bashkimit Europian në kushtet kur vendi ynë po përjeton

dhimbjet e dështimit dramatik të procesit zgjedhor të 8 majit.

Komisioni Qendror i Vjedhjeve, nën dhunën e patolerueshme antiligjore të

Saliut, po vazhdon të konsumojë në televizor një krim me pasoja të

pallogaritshme për demokracinë, shtetin e të drejtës dhe vetë stabilitetin e

këtij vendi.

Opozita Shqiptare, Partia Socialiste si zemra e saj, nuk do të pushojë së

kërkuari rrugëdaljen demokratike, ligjore, politike nga ky qorrsokak ku sytë

e verbuar të kryeministrit dhe epshi shtazarak i oborrit të tij të

interesave të paligjshme politike e financiare, po e ndryjnë orë e çast

Shqipërinë.

Ne i kemi fituar zgjedhjet në Tiranë, e panë miliona sy dhe e dëgjuan

miliona veshë numërimin në kohë reale të çdo vote.

Përmbysja e rezultatit të atij numërimi në tavolinën e Komisionit Qendror të

Vjedhjeve, ku edhe vetë maskarada është e arnuar si mos më keq deri edhe me

fletë votimi të sajuara me ngut e të zhytura në kuti jo nga zgjedhësit po

nga vjedhësit nuk mund të kthehet në një fakt të kryer pa asgjësuar më parë

opozitën shqiptare.

Saliu duhet ta dijë shumë mirë se për të qëndruar në atë

vend duhet t’i lëshojë rrugë Kushtetutës, ligjit, të vërtetës së 8 majit në

Tiranë dhe çdo llogari e bërë mbi bazën e përdorimit të forcës mbi opozitën

për të imponuar një rezultat të paligjshëm, është llogari kryekëput e

gabuar.

Thërrasim përsëri sot në ndihmë komunitetin e miqve dhe partnerëve të

pazëvendësueshëm të popullit shqiptar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin

Europian, OSBE, dhe çdo mik e partner tjetër që të mos i lënë vetëm

Shqipërinë e shqiptarët në këto orë dramatike.

Ne jemi gati të kontribuojmë me gjithçka mundemi për kthimin e kësaj faqeje

të vjetër që po zymtohet orë e çast dhe nxjerrjen e vendit nga ky udhëkryq

mes humnerës tëposhtë e majës së lartë të lirive e të drejtave të garantuara

për çdo qytetarë, duke filluar nga liria dhe e drejta themelore e votës.

Asnjëherë në një konflikt mes forcave politike në Shqipëri s’ka qenë më e

qartë se sot se kush është dhunuesi e kush është i dhunuari dhe ne duam të

besojmë megjithë zemër se komuniteti ndërkombëtar do të ndërhyjë në

mbrojtje të lirisë, demokracisë, stabilitetit të këtij vendi, duke mos

lejuar që të konsumohet deri në fund një maskaradë me kosto marramendëse për

të ardhmen e afërt të Shqipërisë.

Apeli yni i drejtohet edhe Presidentit të Republikës si garant i Kushtetutës

dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që të veprojë në mbrojtje të

unitetit kombëtar e stabilitetit demokratik të vendit, duke marrë në mbrojte

institucionin e votës së lirë si themelin e unitetit e të stabilitetit.

Opozita shqiptare do të kërkojë në orët në vijim, përmes një kallëzimi penal

për shpërdorim detyre dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore nga ana e

katër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërhyrjen e

prokurorisë për të administruar me shpejtësi të gjitha provat e krimit

elektoral që po konsumohet në tavolinën e atij komisioni dhe filluar

menjëherë hetimin e kësaj vepre antikombëtare, antikushtetuese, antiligjore

me qëllime të errëta politike.

Çdo shqiptar që beson sot tek e ardhmja europiane e këtij vendi, çdo

qytetarë që beson tek e drejta e shkelur sot përdhunisht, çdo njeri i

zakonshëm që sot beson tek mundësia e një jete më të mirë në këtë vend,

duhet ta dijë se ne nuk dorëzohemi, ne nuk tërhiqemi, ne nuk tutemi përpara

diktaturës së faktit të kryer në dëm të së ardhmes e në shkelje të së

drejtës.

Ne jemi në këmbë dhe s’ka diktat e dhunë shtetërore që na gjunjëzon derisa

të kemi frymë.

*Deklaratë për Shtyp e Kryetarit të PArtisë Socialiste Edi Rama

KOMENTE