Tiranë, 19 maj 2011, NOA- Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj, akuzoi socialistët se po bllokojnë numërimin e votave te KZAZ-ja nr. 49, që i përket njësisë nr. 5.
Sipas saj, numëruesit dhe vëzhguesit socialistë po përvijojnë prej disa ditësh zvarritjen e procesit të numërimit, në kundërshtim me homologët e tyre.
“Deri ditën e martë numëruesit dhe vëzhguesit socialistë procedonin në numërimin e kutive me një shifër të konsiderueshme, deri në 20 kuti në ditë, ndërsa këto ditë ata kanë ngadalësuar maksimalisht procesin, madje shpeshherë edhe duke e ndërprerë fare atë.
Situata e krijuar së fundmi në njësinë nr.5 na bën të mendojmë se kjo zvarritje është e qëllimshme, duke bërë kështu që rezultati i kësaj KZAZ dhe i të gjithë Tiranës në vijimësi, të mos dalë apo të vonohet edhe më tej”, deklaroi Mustafaraj.
Më tej ajo shtoi se, në KZAZ 49 në kryeqytet, deri në këto momente kanë mbetur 22 kuti për tu numëruar, se nëse nuk do të kishte tejzgjatje nga socialistët të gjithë kryeqytetasit do të kishin tashmë rezultatin e votimit.
Në përfundim ajo i kërkoi Komisionit Zonal të Tiranës të ndërhyjë më te gjitha kompetencat ligjore për të zhbllokuar menjëherë këtë situatë, duke vijuar me apelin drejtuar numëruesve dhe komisionerëve demokratë që të qendrojnë në krye të detyrës.
a.y/NOA