Tiranë, 19 maj 2011 NOA - Jorida Tabaku, kandidate për Këshillin Bashkiak të Tiranës, i ka kërkuar publikisht kreu të opozitës z. Rama, të pranojë numërimin e plotë të votave dhe të krijojë qetësi e jo kaos.
"Edi Rama,- tha znj.Tabaku,- po tregon se nuk dëshiron të ndjekë procesin ligjor; por në vend të kësaj ka zgjedhur të organizojë grupe të vogla mbështetësish që përpiqen të shkaktojnë kaos.
Edi Rama thotë manipulim, por mjafton vetëm të ndezë televizorin dhe të shohë se votat po numërohen në mënyrë të drejtë dhe transparente si asnjëherë tjetër, - tha Tabaku.
Kurse shtroi 5 pyetjet si më poshtë:
Pse nuk e kupton Edi Rama se fitorja nuk vjen nga tabelat paraprake; fitorja vjen nga sa vota ka marrë.
Pse nuk e kupton Edi Rama se nuk ka rëndësi sa protesta bëhen; rëndësi ka sa vota ka marrë.
Pse nuk e kupton Edi Rama se nuk ka rëndësi sa herë deklaron fitoren; rëndësi ka sa vota ka marrë.
Pse nuk e kupton Edi Rama se nuk ka rëndësi sa akuza absurde bën; rëndësi ka sa vota ka marrë.
Pse nuk do Edi Rama që çdo votë të numërohet?"