Durrës, Kavajë, Fier, Vlorë, Lezhë, 19 maj 2011, NOA – Protestat e paralajmëruara të Partisë Socialiste janë përshkallëzuar sot në disa prej qyteteve të vendit. Militantët e opozitës i janë bashkuar thirrjes së liderit të opozitës Edi Rama, i cili i kërkoi popullit të ngrihet në këmbë për të mbrojtur votën e zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Ndërsa mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vazhdon me numërimin e fletëve të kontestuara si vota të vlefshme, për kryebashkiakun e Tiranës, duke ndryshuar edhe rezultatin për bashkinë e Tiranës, militantët e PS-së kanë zaptuar disa nga akset rrugore që lidhin qytetet me Tiranën.
Sipas të dhënave të deritanishme protestat kanë nisur në qytetet e Durrësit, Lezhës, Kavajës, Durrësit, Vlorës dhe Fierit.
Sipas paralajmërimit militantët pritet të nisen më pas drejt kryeqytetit në përpjekje për t’iu bashkuar turmës së simpatizantëve të kësaj partie e stacionuar pranë mjediseve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Protestuesit në mbarë vendin po manifestojnë kundër vendimit të KQZ-së për të numëruar si vota të vlefshme, fletëvotimet e hedhura gabimisht në kutitë e gabuara, një akt ky i kundërshtuar me forcë nga selia rozë dhe përfaqësuesit e saj në KQZ, si një veprim tërësisht i paligjshëm.
Sipas të dhënave është bllokuar nga protestuesit e shumtë ura e Mifolit në Vlorë, aksi rrugor Rrogozhinë-Kavajë.
Ndërkohë protestuesit në kryeqytet po tentojnë të hyjnë me forcë në selinë e KQZ-së duke shtyrë forcat e Policisë së Shtetit.
mit/NOA