English

Protestuesit bllokojnë autostradën Tiranë-Durrës

Tiranë-Durrës, 19 maj 2011, NOA – Disa qindra protestues durrsakë me flamuj kombëtarë kuq e zi dhe flamuj të Partisë Socialiste në duar kanë bllokuar në këto momente hyrjen e autostradës Durrës-Tiranë, pikërisht pranë mbikalimit të Shkozetit, duke bllokuar lëvizjen e automjeteve që shkojnë nga Tirana drejt qytetit bregdetar.

Protesta e militantëve socialistë në Durrës nisi në brendësi të qytetit dhe më pas turma e tyre vijoi ecjen përdrejt rrethrrotullimit të Urës së Dajlanit duke u tubuar në dy krahët e autostradës, e cila është tashmë tërësisht e bllokuar.

Përgjatë rrugëtimit të protestuesve, Policia e Shtetit ka qëndruar në qetësi duke mos u konfrontuar me protestuesit, madje duke i lejuar ata të manifestojnë në mënyrën e tyre.

Mësohet se tashmë rruga përdrejt Durrësit mbyllet pikërisht pranë mbikalimit të Shkozetit, aty ku janë tubuar simpatizantët e Partisë Socialiste, të cilët po protestojnë në mënyrë paqësore ndaj ndryshimit të rezultatit për bashkinë e Tiranës, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kjo protestë qytetare e durrsakëve shkon në mbështetje të qindra militantëve të PS-së të tubuar pranë sheshit ku ndodhet edhe selia e institucionit kushtetues të zgjedhjeve në kryeqytet.

Sipas deputetëve socialistë që drejtojnë këtë protestë ende nuk ka një axhendë të caktuar të saj, pra nëse protestuesit durrsakë do t'i drejtohen Tiranës apo do të qëndrojnë në hyrje të autostradës duke bllokuar rrugën.

mit/NOA

KOMENTE