English

Reagon Topi: Shtyrja e vizitës së Barrosos shans i vonuar për Shqipërinë

Tiranë, 19 maj 2011, NOA – Presidenti i Republikës Bamir Topi reagoi pas anullimit të vizitës në Tiranë të Presidentit të Komisionit Europian Jose Manuel Durrao Barroso duke e cilësuar këtë vendim si një zhvillim jo të këndshëm dhe një shans të vonuar për Shqipërinë.

Kreu i Shtetit reagoi përmes një deklarate të shkurtër në faqen zyrtare të Presidencës duke bërë me dije se shtyrja e vizitës së paralajmëruar për nesër është një zhvillim jo i këndshëm për Shqipërinë, e cila aspiron përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.

“Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaron se shtyrja e vizitës së Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, është një zhvillim jo i këndshëm dhe një shans i vonuar për Shqipërinë” thuhet në deklaratën e presidencës.

Presidenti thekson zoti Barroso ka qenë dhe është një mbështetës i Shqipërisë në rrugën e saj të reformave dhe integrimit dhe vizita e tij pritej të konfirmonte një fazë të re afrimi të vendit tonë me Bashkimin Evropian.

“Zhvillimet e fundit politike dhe post-zgjedhore në Tiranë, dhanë sinjalin e gabuar dhe duket se u bënë pengesë për realizimin e kësaj vizite të mirëpritur e me vlera historike për popullin shqiptar”, thekson Presidenti.

Sipas Kreut të Shtetit përgjegjësia kryesore për vonesën e kësaj mundësie bie direkt mbi partitë kryesore politike, udhëheqjen, militantët dhe sjelljen e tyre.

“Në këto çaste të vështira politike, thirrja dhe apeli i Kryetarit të Shtetit, dhe i shumicës së qytetarëve të këtij vendi, është rikthimi i normalitetit demokratik, mbizotërimi i interesave publike mbi ato partiake, maturia dhe përgjegjësia për të dëshmuar aftësi udhëheqëse në gjetjen e rrugëve ligjore e demokratike të zgjidhjes së problemeve të krijuara’, apelon Presidenti i Republikës Bamir Topi.

Ky reagim i Presidentit Topi erdhi pas konfirmimit nga zëdhënësja e KE-së Natasha Butler të anullimit të vizitës në 20 maj në Tiranë, nga Presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Durrao Barroso, i cili ndodhet sotSerbi në vijim të turit të tij ballkanik.

mit/NOA

KOMENTE