English

Rrethi i katërt i negociatave

Glauk Konjufca

Dje përfundoi rrethi i katërt dyditor i negociatave mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Për shkak të jotransparencës së Qeverisë për këto negociata ato po zhvillohen larg informacionit të qytetarëve e bile edhe shumë nga ne këtu mund informohemi vetëm nga mediat.

Negociatat po vazhdojnë të mbahen edhe përkundër ardhjes se Stefanoviqit në Kosovë prej nga ku ai tha se ka ardhë në Kosovë që ta mbrojë Kushtetutën e Serbisë, duke iu referuar nenit që e definon Kosovën si pjesë të Serbisë. Këto qëndrime dhe pretendime pushtuese e nxitën revoltën e arsyeshme të qytetarëve në ditën e vizitës së Stefanoviçit, kurse Qeveria i përdori institucionet tona shtetërore si skenë për performancën antishqiptare të zyrtarit të Serbisë. Në anën tjetër policia u përdor për rrahjen e qytetarëve shqiptarë dhe në mbrojtje të Stefanoviqit.

Këto negociata u mbajtën po ashtu ditën që zv.kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç nga SPS-i i Milosheviqit deklaroi se strategjia e shtetit serb duhet të jetë ndarja e Kosovës. Zv.kryeministri Kuçi deklaroi se Serbia nuk ka ndryshuar nga Milosheviçi, por ishte po ai që i priti në Qeveri përfaqësuesit e kësaj Serbie të Milosheviqit. Kjo është dyfytyrësi.

Në këto negociata u fol për të pagjeturit, trashëgiminë kulturore, lirinë e lëvizjes, tregtinë, komunikacionin dhe njohjen e diplomave të Republikës së Kosovës.

Sa i përket të pagjeturve, Qeveria e Kosovës ka negociuar me Serbinë 11 vjet, por ata nuk janë kthyer me negociata. Të pagjeturit nuk janë kompromis për kthimin e të cilëve ne duhet t'i japim Serbisë diçka. Të pagjeturit janë krim i Serbisë. Për këtë krim ajo duhet të jep llogari dhe të kushtëzohet. Fakti që qeveria e Kosovës po i negocion të pagjeturit do të thotë që i trajton ata si kompromis.

Sa i përket trashëgimisë kulturore, siç dihet Qeveria fillimisht në negociatat e Vjenës pat ofruar vetëm një zonë eksterritoriale, Beogradi i kërkoi 40, kurse Plani i Ahtisaarit vendosi 45 zona eksterritoriale dhe Qeveria e Grupi i Unitetit u pajtua. Ajo që është trashëgimi historiko-kulturore e popullit të Kosovës iu dhurua Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Pastaj fakti që Qeveria po i negocion madje edhe eksponatet e vjedhura kulturore, tregon se tash Qeveria po negocion duke e pasë për pozicion Planin e Ahtisaarit. Sepse edhe Plani i Ahtisaarit madje thotë se Serbia obligohet t'i kthejë eksponatet e plaçkitura. Pra, Qeveria jo vetëm që moti është larguar nga vullneti i popullit, por tash po e negocion edhe vetë kompromisin, pra Planin e Ahtisaarit. Ajo që është e obligueshme për Serbinë, Qeveria jonë po e bën të negociueshme. Kjo do të thotë poshtë e më poshtë .

Në negociatat e djeshme u diskutua edhe liria e lëvizjes. Serbia nuk i njeh pasaportat e Republikë s së Kosovës, kurse Qeveria e Kosovë s nuk ka fare nevojë t'i njeh pasaportat serbe sepse shtetasit serbë futen në Kosovë pa pasaporta fare. Politikanë te Serbisë po ashtu hyjnë e dalin kur duan, duke pretenduar se Kosova është Serbi, kurse Qeveria rri duarkryq. Ky është joreciprocitet dhe nënshtrim me paramendim.

Sa për tregtinë dhe mallrat puna qëndron sikur me njerëzit. Serbia nuk i njeh mallrat tona dhe e ka bllokuar CEFTA-n. Kurse Qeveria i ka lënë kufijtë e hapur për qindra miliona euro mallra serbe që kanë vërshuar Kosovën pa kontrollin e përmbajtjes së tyre dhe shumë prej tyre pa u doganuar.

Dhe në fund komunikacioni. Këtu mjafton të përmendet okupimi i hapësirës telefonike nga operatorët ilegalë të Serbisë, por edhe okupimi i rrjetit tonë hekurudhor nga ana e Serbisë prej Zubin Potokut deri në Zveçan.

Ky është shkurtimisht bilanci i deritashëm i Qeverisë së Kosovës me Serbinë.

Çdo ditë e më shumë po kuptohet se në mungesë totale të vullnetit politik për sovranitet, varësisë së saj të plotë nga informaliteti ekonomik, dhe izolimit të madh të Kryeministrit nga vendet perëndimore kësaj Qeverie njëmend i kanë mbetur vetëm negociatat me Serbinë.

* Fjalimi i mbajtur në seancën parlamentare të 19 majit 2011

KOMENTE