Tiranë, 19 maj 2011, NOA- Në një deklaratë të përbashkët për mediat përfaqësues të shoqërisë civile Organizata Jofitimprurëse u shprehën se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vepron në kundërshtim me ligjin, dhe se vendimet e saj janë jo vetëm të kundraligjshme.
Më tej thuhet se, KQZ po kryen veprime duke kapërcyer radhën e punës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor gjë, që nuk cenon vetëm anën formale ligjore por edhe atë të përmbajtjes së akteve që nxirren, sepse cenohet procesi i ankimit, gjë që bie ndesh edhe me parimin kushtetues të procesit të rregullt ligjor.
“Duke ndjekur me vëmendje veprimtarinë e KQZ-së arrijmë më përfundimin se ai nuk po zbaton me rigorozitet Kodin Zgjedhor. Në fakt, KQZ bëri përllogaritjet dhe shpalljen e rezultateve për kryetarin e Bashkisë Tiranë deri në kutinë e fundit të Njësisë nr. 5 ku u ndal, dukshëm me qellim për të penguar përpunimin e tabelës përfundimtare të rezultateve paraprake, duke e ndërprerë padrejtësisht këtë proces. Ky qëndrim i gabuar i KQZ-së vjen ndesh dhe me përmbajtjen e vendimit nr.650, datë 16.05.2011 të KQZ-së”, thuhet në deklaratë.
Lidhur me vlefshmërinë e votave, thuhet se, vota të pavlefshme janë fletët e votimit kur, fleta e votimit nuk ka të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ-ja.
Veçohet gjithashtu se çdo veprim i KQZ-së i kryer pasi rezultati është marrë dhe shpallur nga KZAZ-ja përkatëse është i kundraligjshëm dhe në dëm të besueshmërisë së procesit të numërimit dhe të nxjerrjes së rezultatit objektiv dhe të besueshëm.
Pjesëtarët e kësaj deklarate, shoqatat dhe individët:
1) Komiteti Shqiptar i Helsinkit
2) Partneret- Shqiperi
3) Lëvizja Europiane në Shqipëri
4) Instituti IDRA
5) Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
6) Grupimi Ekologjik
7) Qendra Shqiptare e të Drejtave të Njeriut
8) Lëvizja “Mjaft”
9) Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare
10) Instituti “Agenda”
11) Qendra e Këshillimit për Gra e Vajza
12) Andrea Stefani
13) Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
14) Unioni i Gazetarëve
15) Qendra për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve (CRCA)
16) Shpëtim Nazarko
17) Delina Fico
18) Mustafa Nano
a.y/NOA