Tiranë, 19 maj 2011, NOA – Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth rikonfirmoi gaditshmërinë e OSBE-së për të bashkëpunuar me Gjykatën e Lartë në funksion të përmirësimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Këtë gatishmëri Ambasadori i OSBE-së e ka pohuar gjatë takimit me Kryetaren e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj dhe Kryetarin e Kolegjit Penal Gani Dizdari.
Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth theksoi se “Gjyqësori dhe Drejtësia janë shtyllat kryesore që ndihmojnë qytetarët e një vendi të krijojnë besimin tek shteti i vet”.
Këtu ai preçizoi se respektimi i pushtetit gjyqësor nga ana e pushteteve të tjera, e transmeton këtë respekt edhe tek publiku dhe opinioni i tij mbi drejtësinë dhe anëtarët e gjyqësorit shqiptar.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë i shprehu ambasadorit mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që OSBE i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë sistemit të drejtësisë dhe
gjyqësorit në vendin tonë.
Beçaj vlerësoi rolin e kësaj organizate të rëndësishme në nxitjen e demokratizimit, funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si kushte të domosdoshme për integrimin e vendit tonë në familjen europiane.
Gjatë bisedës Kryetarja e Gjykatës së Lartë e njohu Ambasadorin Wollfarth me disa nga problematikat kryesore, me të cilat përballet sot pushteti gjyqësor, duke u ndalur veçanërisht tek pavarësia dhe mirëfunksionimi i këtij pushteti, si një nga tiparet themelore të shtetit demokratik.
Gjatë takimit, Ambasadori Wollfarth shprehu interesimin e tij mbi bashkëpunimin që Gjykata e Lartë gjen me dy pushtetet e tjera, si dhe aktorë të tjerë, që operojnë në fushën e drejtësisë.
Në këtë kontekst zonja Beçaj e sqaroi se gjyqësori i ka bërë prezente në vazhdimësi problematikat, me të cilat përballet dy pushteteve të tjera, atij legjislativ dhe atij ekzekutiv.
Sipas Beçaj kapërcimi i kësaj situate lidhet me vazhdimësinë e reformës legjislative dhe institucionale, gjë që kërkon ndërmarrjen e hapave konkretë nga dy pushtetet e tjera.
Beçaj tha se Gjykata e Lartë e organizon veprimtarinë e saj me një buxhet të pamjaftueshëm dhe infrastrukturë të papërshtatshme për ushtrimin me dinjitet të detyrës së gjyqtarit.
Nevoja për reformimin e pushtetit gjyqësor, u mbështet edhe nga Ambasadori i
OSBE-së Eugen Wollfarth, i cili shprehu se legjislativi dhe gjyqësori duhet
të gjejnë një bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv, sidomos gjatë proçesit
konsultativ për përgatitjen e projektligjeve.
mit/NOA